Tuesday, February 10, 2026
HomeALBReagon nëna e 12-vjeçares: “Janë gënjeshtra, partneri im nuk e ka prekur vajzën”

Reagon nëna e 12-vjeçares: “Janë gënjeshtra, partneri im nuk e ka prekur vajzën”

Nëna e 12-vjeçares, e cila dyshohet se është abuzuar seksualisht për rreth dy vite nga partneri i saj, ka reaguar publikisht duke mohuar kategorikisht akuzat e ngritura ndaj Kelmend Krusës.

Në një prononcim për Top News, ajo deklaroi se nuk i pranon pretendimet se partneri i saj ka ngacmuar seksualisht vajzën e mitur, duke i cilësuar akuzat si të pavërteta. Sipas saj, ajo nuk ka bërë asnjë kallëzim penal dhe thekson se nuk ka pasur asnjë dyshim ndaj Kelmend Krusës.

“Unë jetoja me Kelmendin dhe nuk kemi pasur probleme. Policia ka ardhur, ka kontrolluar banesën dhe më pas na ka shoqëruar. Nuk kam bërë denoncim, sepse ai nuk i ka bërë asgjë vajzës. Janë të gjitha gënjeshtra. Nuk kam pasur asnjë dyshim. Denoncimi është bërë nga vajza për ngacmim seksual, jo për përdhunim”, është shprehur ajo.

Ngjarja mori vëmendje të madhe publike më 26 janar, kur Kelmend Krusa dhe Klodian Krusa u arrestuan si të dyshuar për vrasjen e Artur Lleshit, babai i vajzës së mitur.

Ndërkohë, vëllai i viktimës, Lulëzim Lleshi, ka bërë më herët deklarata të forta, duke pretenduar se vëllezërit binjakë Krusa kishin krijuar lidhje me bashkëshortet e tij dhe të vëllait. Pas bërjes publike të rastit të dyshuar të abuzimit seksual ndaj mbesës së tij, ai ka deklaruar se ngjarje të ngjashme kishin ndodhur edhe me vajzat e tij gjatë verës së kaluar, çka e kishte detyruar familjen të largohej nga Gjirokastra dhe të rikthehej pranë tij.

Hetimet për ngjarjen vijojnë nga autoritetet përkatëse.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments