Gazetari Elton Tozaj ka reaguar ashpër ndaj televizionit Top Channel pas një materiali televiziv që, sipas tij, e ka dëmtuar padrejtësisht figurën publike.
Tozaj shprehet se për 16 vite ka qenë pjesë e këtij televizioni, duke punuar pa orare dhe me përkushtim maksimal, ndërsa sot, sipas tij, është hedhur poshtë në mënyrë të padrejtë.
Ai sqaron se është kontaktuar nga një punonjëse e Top Channel për të gjetur një biznes që do të mbulonte një shumë të caktuar financiare dhe se për një lokal të përmendur në material, jo vetëm që nuk ka pasur asnjë detyrim, por madje ka kthyer para nga xhepi i tij.
“Ma bëtë emrin pis ndërkohë që kam nënën në spital. E vërteta do të dalë,” shkruan Tozaj, duke e cilësuar situatën si tendencioze.
Në reagimin e tij, ai përmend edhe emra të tjerë të njohur që janë larguar nga Top Channel në rrethana të ngjashme, duke shtuar se nuk është i pari dhe as i fundit që përballet me këtë trajtim.
Në fund, gazetari thekson se çështjet janë të zgjidhura dhe se zakonisht emisioni Fiks Fare merret për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve, jo për të denigruar figurën e dikujt.
