Monday, February 9, 2026
HomeALBRama shpall luftë të hapur me drejtësinë e re: Parlamenti kundër SPAK...

Rama shpall luftë të hapur me drejtësinë e re: Parlamenti kundër SPAK dhe GJKKO

Edi Rama ka shpallur publikisht një betejë politike për atë që ai e cilësoi si “zhbërjen e një shpikjeje 100% Made in Albania”, duke iu referuar drejtësisë së re, të cilën e konsideron ende të papjekur. Sipas kryeministrit, kjo betejë nuk lidhet me një rast apo çështje konkrete, por me një parim themelor dhe të panegociueshëm të demokracisë: garantimin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ nga pushteti gjyqësor.

Rama theksoi se kjo përplasje është bërë e pashmangshme pas asaj që ai e quajti një akt antidemokratik, konkretisht pezullimin e një anëtari të qeverisë, ndërsa kritikoi Gjykatën Kushtetuese për pamundësinë e saj për të marrë një vendim të thjeshtë dhe përfundimtar mbi këtë çështje.

Në thelb, kreu i mazhorancës ka paralajmëruar se atë që Gjykata Kushtetuese nuk arriti ta zgjidhë me një vendim unifikues, do ta ndërmarrë Parlamenti përmes një nisme ligjore. Sipas tij, kjo mbetet e vetmja rrugë për të prerë “nyjën gordiane” të krijuar mes SPAK-ut, GJKKO-së dhe Gjykatës Kushtetuese.

Por pyetja që shtrohet është: çfarë ligji mund të ndryshojë mazhoranca në këtë betejë dhe cilat do të jenë pasojat e saj?

Ndërhyrja në Kushtetutë shihet si një hap i rrezikshëm politikisht, një “kafshatë e madhe” që mund t’i kushtojë shtrenjtë mazhorancës në një situatë tashmë të tensionuar. Për këtë arsye, si zgjidhje më e moderuar përmendet mundësia e ndryshimeve apo shtesave në Kodin e Procedurës Penale, ku mund të përcaktohen më qartë kriteret për pezullimin e anëtarëve të qeverisë apo të zyrtarëve të tjerë të zgjedhur, pa cenuar drejtpërdrejt kompetencat e institucioneve të drejtësisë.

Megjithatë, edhe kjo rrugë ngre dilema të reja. A mund të mbyllen boshllëqet e krijuara nga praktikat e drejtësisë së re vetëm me ndërhyrje ligjore të njëpasnjëshme? Apo çdo “arnim” i ri rrezikon të shembë të gjithë konstruksionin institucional, duke e futur mazhorancën në një krizë më të thellë?

Ajo që tashmë duket e qartë, jo vetëm brenda radhëve të mazhorancës por edhe nga zëra të shumtë të opinionit publik – gazetarë, analistë dhe juristë – është kërkesa për një draft më të gjerë dhe më kompleks rregullimesh në sistemin e drejtësisë. Kjo kërkesë lidhet veçanërisht me masat e arrestit preventiv dhe konfiskimin e pajisjeve private elektronike për qëllime hetimore, çështje që nuk mund të zgjidhen thjesht me shtesa të fragmentuara në Kodin e Procedurës Penale.

Në çdo rast, kjo betejë nuk pritet të jetë e lehtë për Edi Ramën dhe mazhorancën, jo vetëm në planin e brendshëm politik, por sidomos në raport me faktorët ndërkombëtarë.

Megjithatë, ajo shihet si një përballje e pashmangshme, e cila, si çdo betejë e tillë, pritet të prodhojë jo vetëm fitues, por edhe viktima politike

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments