Edi Rama ka shpallur publikisht një betejë politike kundër asaj që e cilësoi si “zhbërja e kësaj shpikjeje 100% Made in Albania, e drejtësisë së re dhe ende të papjekur shqiptare”. Sipas tij, kjo drejtësi nuk lidhet me një rast apo çështje konkrete, por cenon një parim të panegociueshëm të demokracisë: pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe të Parlamentit nga pushteti gjyqësor.
“Në këtë betejë do të vazhdojmë,” deklaroi Rama, “një betejë ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari të qeverisë dhe ku fatkeqësisht na mban ende sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë.”
Me fjalë të tjera, kreu i mazhorancës ka bërë të qartë se atë që Gjykata Kushtetuese nuk e realizoi përmes një vendimi unifikues, Parlamenti do të përpiqet ta bëjë përmes ligjit. Sipas tij, kjo mbetet e vetmja rrugë për të prerë “nyjën gordiane” të krijuar nga SPAK, GJKKO dhe më pas nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Por çfarë ligji mund të ndryshojë realisht mazhoranca në këtë betejë dhe cilat do të ishin pasojat e saj?
Ndryshimi i Kushtetutës përbën një kafshatë tepër të madhe, që mund t’i ngecë në fyt mazhorancës, pasi një hap i tillë do të sillte pasoja të rënda politike, veçanërisht në situatën aktuale. Për këtë arsye, një ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale – ku të përcaktohet qartë çështja e pezullimit të anëtarëve të qeverisë, të zgjedhurve me votë apo drejtuesve të institucioneve – shihet si një zgjidhje më e pranueshme dhe më pak konfliktuale, pa cenuar drejtpërdrejt kompetencat kushtetuese të institucioneve të drejtësisë.
Megjithatë, edhe pas kësaj zgjidhjeje lindin pyetje të tjera thelbësore: a mund të mbyllen boshllëqet e hapura nga drejtësia e re me “gozhda betoni” mbi tavane politike prej gipsi? Sepse çdo arnim i bërë për të korrigjuar një precedent të vetëm, rrezikon jo vetëm të rrëzojë rozetën, por edhe të shembë të gjithë tavanin, duke zënë brenda vetë mazhorancën.
Tashmë duket qartë – jo vetëm brenda qarqeve të mazhorancës, por edhe në opinionin publik, mes gazetarëve, analistëve dhe juristëve – se ekziston një kërkesë e fortë për një draft më kompleks ndërhyrjeje në arkitekturën e reformës në drejtësi. Veçanërisht në lidhje me arrestin preventiv dhe konfiskimin e mjeteve private elektronike për qëllime hetimore, çështje që nuk mund të zgjidhen më me shtesa sporadike në Kodin e Procedurës Penale.
Në çdo rast, kjo betejë nuk do të jetë një shëtitje e lehtë për Edi Ramën dhe mazhorancën. Jo vetëm në planin e brendshëm politik, por mbi të gjitha në raport me ndërkombëtarët, të cilët mbeten faktor kyç në mbështetjen dhe monitorimin e reformës në drejtësi.
Megjithatë, gjithçka tregon se kjo është një betejë e pashmangshme. Dhe si çdo betejë e tillë, do të ketë viktimat dhe fituesit e saj.
