Tuesday, February 10, 2026
HomeALBRama: Kushtetuesja bëri budallallëk botëror!

Rama: Kushtetuesja bëri budallallëk botëror!

Kushtetuesja u nda 4 me 4 mes anëtarëve të saj, duke mos arritur shumicën e nevojshme për një vendim përfundimtar mbi çështjen nëse një prokuror mund të kërkojë pezullimin nga detyra të një anëtari të kabinetit qeveritar. Si pasojë, vendimi i GJKKO-së, i kërkuar nga SPAK, mbeti në fuqi.

Në reagimin e tij publik, Rama e cilësoi situatën si “shembulli i parë i një budallallëku botëror”, duke theksuar se, sipas tij, Gjykata Kushtetuese “nuk gjeti forcën për të moslejuar marrjen peng të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”.

Sipas kreut të qeverisë, mosvendimmarrja rikthen automatikisht në fuqi pezullimin e Ballukut, për të cilën ai theksoi se “nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku procedurën e pezullimit”.

Rama paralajmëroi vijimin e betejës institucionale, duke e cilësuar pezullimin si një precedent të rrezikshëm për balancën e pushteteve. Ai argumentoi se, me këtë logjikë, “edhe Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga cilido prokuror”.

Kryeministri foli për një “shpikje 100% ‘Made in Albania’ të drejtësisë së re”, duke theksuar se çështja nuk lidhet vetëm me rastin konkret, por me parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e ekzekutivit nga gjyqësori.

Në fund të reagimit, Rama pati edhe një mesazh për kundërshtarët politikë, duke deklaruar se lufta për drejtësi dhe shtet ligjor nuk do të prodhojë kosto për mazhorancën qeverisëse dhe se, sipas tij, shumica aktuale mbetet garant i procesit të integrimit europian.

Çështja pritet të vijojë të prodhojë debat të fortë politik dhe institucional në ditët në vijim.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments