
Ish-drejtori i komanduar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artion Saliasi, është marrë i pandehur në lidhje me rekrutimin në kundërshtim me ligjin brenda AMP-së të Muçi Shaljani (Sheqerit).
Ky i fundit i vrarë në një makinë me Gilmando Danin më 11 nëntor 2025, pak pasi dolën nga aeroporti i Rinasit.
Saliasi është marrë i pandehur pas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës dhe AMP-së për veprën penale “shpërdorim detyre”, pasi u konstatuan gjatë hetimeve dhe verifikime shkelje në procedurat e punësimit të Sheqerit (foto poshtë).
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse në AMP, Gëzim Sala, është rikthyer në detyrë, pasi Apeli i hoqi masën e pezullimit nga detyra rreth 1 muaj më parë.
Muçi Shaljani alias Sheqeri, i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatin e mesditës së 11 Nëntorit, ku u vra Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, qëndroi në intubim pas plagosjes së rëndë. Ai humbi jetën orë më pas. 40-vjeçari u qëllua me 10 plumba në trup, 2 prej të cilëve në kokë.
Ka qenë ora 14:30 e të martës (11 nëntor) kur persona ende të paidentifikuar sulmuan me breshëri kallashnikovi makinën ku ndodhej Gilmando Dani dhe miku i tij Muçi Shaljani Sheqeri. Ngjarja ndodhi në rrethrrotullimin e Rinasit, kur dy personat sapo kishin ardhur nga Spanja.
Autorët kanë qenë të maskuar me veshje me ngjyrat e rrobave të policisë, me maska dhe kapele, ndërkohë që pasi makina e dy personave të sulmuar nuk ka vijuar të ecë, personi që ka qenë në tokë, ka lënë kallashnikovin dhe me pistoletë, ka hapur derën e pasagjerit që kishte ndërruar jetë dhe ka qëlluar sërish mbi të.
Atentatorët kanë ikur në drejtim të Fushë-Krujës, si gjithnjë kur ndodhin krime në atë zonë dhe kalimtarë të rastit janë afruar për të hapur derën e shoferit të mjetit, pasi është parë që kishte shenja jete. Dera nuk hapej. Policia shkoi aty, por pas qytetarëve, me duar në xhepa.
Një person, civil, thyen xhamin e mjetit, hap derën dhe nxjerr me pak shenja jete jashtë shoferin, që rezultoi të ishte një agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa i pajetë në sediljen e parë të mjetit ishte Gilmando Dani, 47 vjeç, një emër shumë i njohur në vendin tonë, më shumë se sa për bëmat e tij, për miqësinë dhe kudondodhjen me Emiljano Shullazin, një prej emrave proverbial të krimit në vendin tonë.
Po ndërsa Shullazi vijon të jetë në qeli, i dënuar dhe me dy masa arresti të tjera shtesë, Gilmando Dani kishte fituar lirinë rreth një vit më parë, ndërsa kishte tentuar të niste edhe jetë të re.
Por më 7 nëntor ai është nisur në drejtim të Barcelonës bashkë me mikun e tij të policisë dhe u kthye dje, për të mos dalë i gjallë nga zona pranë aeroportit.
