Nga Lorenc Vangjeli
Mandati i parë i Edi Ramës në vitin 2013 u ndërtua mbi epërsinë strategjike dhe bashkimin e së majtës. Aleanca PS–LSI prodhoi një rezultat rekord, përballë një të djathte të lodhur, të përçarë dhe të pangopur nga pushteti. Sali Berisha e humbi betejën jo nga mungesa e forcës, por nga teprica e rehatisë së njerëzve përreth tij, duke shpërfillur rregullin e vjetër se ushtria pa uri nuk lufton.
Mandati i dytë, në vitin 2017, ishte një kryevepër taktike personale. Rama nuk kishte më nevojë për aleanca, por për dobësinë e kundërshtarëve. Përçarja, mosbesimi dhe naiviteti i opozitës i mjaftuan për të siguruar fitoren. Ai kishte mësuar se në Shqipëri nuk fiton ai që është më i fortë, por ai që ka përballë kundërshtarë më të dobët.
Mandati i tretë, në 2021, u ndërtua mbi psikologjinë e pushtetit. Rama u shndërrua në menaxher të dobësive njerëzore, duke krijuar beteja të rreme, duke ushqyer vanitetet e kundërshtarëve dhe duke kontrolluar fushën e lojës. Djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale ishin dhurata që opozita ia bëri vetë pushtetit.
Mandati i katërt, në 2025, shpjegohet më shumë me letërsinë sesa me politikën. Rama u bë shkrimtari që parashikon dhe ndikon fatin e personazheve të tij, duke mbetur gjithnjë e më i vetëm në kampin e vet dhe duke personalizuar pushtetin në emrin e tij. Një Fan Nol modern, ai ka ndërtuar një realitet paralel ku e vërteta ka shumë fytyra.
Në të gjitha këto fitore, faktorët joelektoralë kanë qenë gjithmonë të pranishëm: nga organizimi kapilar i pushtetit, te përdorimi i parasë dhe kontrolli i lojës. Rama ka ditur herë të blejë rojet e kundërshtarit, herë t’i ushqejë që të lehin më pak.
Sot, sfida e tij më e madhe nuk janë kundërshtarët, por vetëbesimi i tepruar. Gjenerali që ka fituar çdo betejë duhet të fitojë luftën me bindjen se gjithçka është e mundur. Sepse pesha e një politikani matet me armiqtë që ka përballë – dhe për momentin, ata gjenden më shumë mes miqve sesa mes kundërshtarëve.
Rama ka nevojë të rigjejë rebelimin e dikurshëm dhe të shkëputet nga servilizmi që e rrethon. Sepse kur mediokrit hyjnë në tempull, tempulli shndërrohet në stallë. Dhe askush nuk e di këtë më mirë se ai vetë – iluzionisti më i aftë i tranzicionit shqiptar.
P.S. Jo si Parti Socialiste, por si post scriptum:
Enverizmi nuk ka vdekur kurrë. Ai vazhdon të jetojë, i rimishëruar, edhe tek ata që betohen se e urrejnë më shumë se kushdo tjetër.
