
PËLLUMB VREKA
Viti 1945. Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore me armatime e pajisje të trashëguara nga trofetë e ushtrive italiane e gjermane. Nga italianët pati më shumë trofe, ku përveç armatimeve të lehta si topa e mitraloza, mortaja e pushkë, trashëguam edhe autoblinda të lehta tip “SPA” me mitraloza “BREDA”. Këto autoblinda, të kapura apo të dorëzuara nga kapitullimi i ushtrisë italiane ishin në gjendje të mirë, kështu që ato u futën në përdorim nga partizanët kundër vetë italianëve, por edhe gjermanëve.
PAK HISTORI
Gjatë luftës partizanët shtinë në dorë disa autoblinda “SPA” si edhe një tank gjerman “TIGËR”. Kur divizioni italian “FIRENCE” kapitulloi, i gjithë armatimi së bashku me një autoblindë u morën në dorëzim nga partizanët. Autoblinda u vu direkt në punë kundër forcave italiane që nuk donin të dorëzoheshin. Manovrator i saj ishte italiani me emrin Mario. Ç. Ky e përdori pa ndërprerje deri në nëntor 1943 kur e shkatërruan gjermanët me mortaja. Bashkë me të u vra edhe vetë Mario. Megjithatë, mitralozin që kishte sipër tip “BREDA”, i padëmtuar e morën forcat partizane. Ndërsa divizioni italian i Patosit nuk pranoi të dorëzohej. At’here, Mehmet Shehu urdhëroi rrethimin dhe asgjësimin e tij. Pas luftimeve të ashpra dhe humbjeve të shumta divizioni i Patosit u dorëzua pa kushte. Së bashku me trupat, natyrisht që u kap edhe një sasi e madhe armatimi. Së bashku me këtë armatim, u dorëzua nga italianët edhe një autoblindë “SPA”.
Partizanët e shfrytëzuan autoblindën në luftime kundër gjermanëve. Pozicioni i kësaj autoblinde në qafën e Kashit frenoi më së miri avancimin e trupave gjermane duke u dhënë mundësi forcave partizane të largoheshin pa humbje. Mirëpo gjatë manovrimeve, autoblindën e futën në rrugëkalimin e fshatrave Greshicë e Fratar, ku edhe mbeti për mungesë karburanti. Por për të mos ua lënë në duar gjermanëve, forcat partizane e shkatërruan atë duke e nxjerrë jashtë përdorimit, pasi i kishin çmontuar më parë mitralozin “BREDA”. Në zonën Pezë-Ndroq, forcat partizane kapën një tank gjerman “TIGËR-1”, të cilin vendosën ta fusnin në luftime po kundër gjermanëve. Plani dështoi sepse gjermanët me anën e bashkëpunëtorëve, morën informacion se ku strehohej tanku dhe kryen një operacion për rimarrjen e tij. Kjo nuk ndodhi, tanku i maskuar shumë mirë nga partizanët e fshatarët në një “gropë” breg lumi, ulluk mbeti në duar të partizanëve. Në vitin 1975, ky tank gjerman dhe një tank italian, u vendosën në sheshin para muzeut të tankeve “Myslym Keta” në Zall-Herr si trofe model të luftës kundër pushtuesve.
HISTORIA E PAS LUFTËS- ARMATOSJA
Kompania e parë e tankeve u krijua në 1 prill 1946. Komandant i saj ishte Nasi Mandi dhe kishte në përbërje nëntë tanke italianë “SPA” dhe një Diagaç gjerman. Në 10 Korrik 1948 u zhvillua parada e parë me mjete luftarake ku u paraqitën edhe tanket T34. Ky ishte një tank sovjetik, “mbreti” i Luftës së Dytë Botërore, i manovrueshëm, i shpejt dhe me një top tetëdhjetë e pesë milimetra. Ky tank shpartalloi tanket gjermanë TIGËR-1, TIGËR-2 dhe TIGËR-3 të cilët ishin shumë të rëndë dhe aspak të manovrueshëm. Në vitin 1955, krijohet “Traktati i Varshavës” si kundërpeshë e vendeve perëndimore ndaj “Pakti i Atlantikut (NATO). Shqipëria vërtet u bë anëtare e këtij traktati, por koha e “Baba Stalinit” kishte ikur me vdekjen e tij në mars 1953.
Pushtetin në BRRS e kishte marrë Nikita Hrushovi, me të cilin Partia e Punës dhe personalisht Enver Hoxha do të kacafyteshin për dy arsye. E para se Enveri nuk do të ishte dakord kurrsesi me goditjen që i bëri Hrushovi figurës së Stalinit duke e akuzuar për gjenocid e raprezalje kundër popullsisë që kishte mbajtur, sipas tij, të nënshtruar me terror të paparë. E dyta, ishte se në Mbledhjen e 81 Partive Komunistë në Moskë, në sallën Georgievskaja, Hrushovi sulmoi po ashtu shumë ashpër edhe Partinë Komuniste të Kinës. E cila edhe kjo nuk ishte dakord me denigrimin e figurës së Stalinit. Në fakt, në luftën me japonezët, Kina u ndihmua shumë nga Stalini, i cili dërgoi në Lindjen e Largët miliona ushtarë e mijëra tanke T-34 për të mbështetur Kinën në luftën Japonisë militariste.
Kina u mbrojt me forca në mbledhje nga Enveri i cili e shihte Kinën si një vend komunist që nuk i nënshtrohej diktatit të Partisë Bolshevike të Bashkimit Sovjetik të Hrushovit. Aq të forta ishin përplasjet me Hrushovin, saqë delegacioni shqiptar, nën kujdesin e organizuar nga Kadri Hazbiu, nën masa të forta sigurie, nga frika e ndonjë atentati u kthye në Shqipëri… me tren! Në këtë kuadër, kinezët mbështetjen e Shqipërisë e vlerësuan në masë, duke premtuar ndihma ekonomike-ushtarake, fillimisht pa interes e pa pagesa.
Pas tre vjet divergjencash e përplasjesh, marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 u prishën. U ndërprenë edhe ndihmat ekonomike, se ushtarake nuk kishte pasur. Bashkimi Sovjetik nuk i dha ndihma ushtare Shqipërisë për arsye se në Mbledhjen e Jaltës, Shqipëria u quajt “domen” i BRSS. Kjo do të thoshte se ombrella ushtarake e Bashkimit Sovjetik, mbronte edhe Shqipërinë. Kështu që Shqipëria trashëgoi vetëm një kompani tankesh T-34 të ardhur nga Jugosllavia. Pavarësisht se ne ishim anëtarë të Traktatit të Varshavës, de fakto nuk na pyeste njeri. Në mbledhjet e Traktatit të Varshavës emri i Shqipërisë figuron vetëm në listë, se potencial ekonomik dhe ushtarak nuk kishim. Nisur nga sa më sipër, në 13 dhjetor 1960, Partia e Punës e Shqipërisë ndërpreu çdo marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e Lindjes. Paskëtaj ne mbetëm vetëm si numër në Traktatin e Varshavës si një vend socialist. Deri në vitin 1968 kur BRSS pushtoi Çekosllovakinë, vit që Partia e Punës e Shqipërisë denoncoi dhe dënoi agresionin ndaj një vendi socialist, anëtar i Traktatit të Varshavës. Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës, atë vit.
FURIA KINEZE E NDIHMËS EKONOMIKO-USHTARAKE-PA KUFI
Qeveria kineze tani po mendonte dhe zbatonte programin e ndihmës vëllazërore për simotrën e vogël, e cila e ndihmoi Kinën në Kombet e Bashkuara e kudo. Në fakt, kinezëria, siç thoshte Enveri, me ironi për kinezët, planin e kishin më të madh se sa ndihma ekonomike dhe ushtarake. Plani kinez ishte tejet larg. Ajo synonte t’a kthente Shqipërinë në një “plasdarm” për ekspansion kinez të mëtejshëm në Europë. Fillimisht, Partia e Punës dhe Enver Hoxha, nuk e kuptuan qëllimin final “të ndihmës” së qeverisë kineze. Por, me kalimin e kohës, qëllimi final i Kinës u kuptua dhe pas dhjetë vjetësh marrëdhëniet u prishën. Ishte viti 1976. Me këto kushte, Kina i kthen sytë nga Jugosllavia, e cila u bashkua kokë e këmbë me Kinën (vazhdon akoma më ngushtë edhe sot) duke qenë ura e kalimit të Kinës për në Europë. Në Shqipëri fillojnë të mbërrijnë transoqeanikët e parë të ngarkuar me industri të tëra, fabrika, makineri të rënda ushtarake si tanke, transportues të blinduar, obuzë, avionë, skafet e shpejtë “Mass” me silurë, e gjithfarë armatimesh të tjera… pa hesap. Kina solli në vendin tonë, nga gjilpëra tek vagonat e trenave ( se lokomotivat ishin çekosllovake, të shkëlqyera). Këto furnizime, pavarësisht rrugës së gjatë detare, (nga Keiptauni i Afrikës së Jugut) përkonin me deklaratën e famshme të Mao Ce Dunit se: “Shqipërisë, si motrës tonë, do i japim gjithçka, pa përjashtim dhe se në rast të një agresioni, ndihma ushtarake nuk do të njohë kufi për të mbrojtur Shqipërinë”.
Ama, të gjithë transoqeanikët duhej të kalonin patjetër në ngushticën e Gjibraltarit (protektorat anglez) të cilët kontrollonin çdo ngarkesë. Por “kinezëria” siç i quante Enveri, ia kishin gjetur ilaçin edhe kësaj pengese. Ata vendosnin pajisjet dhe armatimet në fund të hambarëve dhe i mbushnin pastaj me …oriz! Në ato vite, Kina akoma nuk dispononte avionë gjigandë për transporte mjetesh të rënda siç kishin amerikanët, avionët C-130 apo GALAXY. Edhe avionët që kishin krahë, vinin në fund të hambarit të çmontuar e të paketuar si “sardelet në kuti”. Pastaj ishin specialistët e teknikët kinezë, që ndodheshin në çdo cep të Shqipërisë dhe bënin montimin, kolaudimin e provat e armatimeve dhe avionëve. Jo vetëm që Kina na furnizoi me gjithçka për rimëkëmbjen e ekonomisë së lënë në mes nga sovjetikët, por u arrit deri atje sa që edhe kartëmonedhat që më përpara prodhoheshin në Bashkimin Sovjetik, u vendos të prodhoheshin në… Kinë. Ndryshimi i vlerës së lekut, në leku i vjetër e leku i ri, pati justifikim faktin se tashmë ekonomia shqiptare e kishte kaluar kohën e ndërtimit dhe se ishte në kohën e zhvillimit të plotë, të gjithanshëm e modernë.
TEJNGOPJA ME MAKINERI
Kjo ishte mëse e vërtetë, sepse për periudhën e viteve 1964- 1974, Shqipëria, në sajë të ndihmës së gjithanshme dhe të pa kufi të Kinës, notonte në një ekonomi të rinovuar e të tejngopur me makineri, e sidomos me armatime. Ndër furnizimet e jashtëzakonshme (të cilat as Izraeli nuk i ka pasur nga Amerika, megjithëse e deklarojnë hapur se janë si vëllezërit siamezë). Më të spikaturat ndërmjet tyre ishin avionët, topat, obuzët, skafet me silurë “MASS”, makinat transportuese etj.. Midis armatimeve, në veçanti bie në sy, tanku modern i kopjuar nga tanku sovjetik, T-54. Kopjimi ishte aq preciz sa ndryshonin vetëm etiketat e aparaturës që ishin të shkruar në… kinezçe!
Tanku T-54 dhe tjetri T-72 kanë një histori paksa të veçantë për mënyrën se si arritën kinezët ta shtinin në dorë qysh në përballjen e parë me të. Në vitet 1960 Bashkimi Sovjetik ishte në konflikt ndërkufitar me Kinën, në perëndim të Mongolisë, në zonën e lumit Amur. Ky lum ndan kufirin e Bashkimit Sovjetik me Kinën dhe pothuajse gjatë gjithë vitit qëndron i ngrirë për shkak të temperaturave që variojnë nga pesëdhjetë – gjashtëdhjetë gradë minus. Ky konflikt për pretendime territoriale ishte identik me atë që kanë sot, India me Pakistanin për zonën e Kashmirit apo Armenia me Ajzerbaxhanin për zonën e Nagorni Karabakut. Pra, në vitin 1960, sovjetikët filluan një sulm të befasishëm kundër pozicioneve kineze. Sulmi u duk i befasishëm, por kinezëria njërin sy e mbante nga sovjetikët e tjetrin në gjumë. Territori i pretenduar nga të dy palët ishte midis qyteteve Blagosevesensk dhe Habarovsk.
Menjëherë sapo filloi sulmi, kinezët filluan bombardimin e pararojës sovjetike dhe në prapavijë. Por kishte një ndryshim, kinezët prisnin të shikonin në krye të sulmit tanket T-34, mbretin e luftës, ata fillimisht u hutuan kur në pararojë po avanconte me shpejtësi një tip tanku i pa parë deri në ato momente. I ulët, me kullën gjysmë sferë, me shpejtësi marramendëse e me një mitraloz 12.7 milimetër mbi kullë! Habia nuk zgjati shumë, pas konstatimit menjëherë u dha urdhri, të rrethohet tanku i pararojës dhe të kapet i padëmtuar. Mizëria e trupave kineze rrëmbyen dy tanket T-54 dhe T-72, të cilët i dërguan në destinacionet e duhura ku filloi çmontimi i tyre, studimi dhe më pas prodhimi në seri. Kështu Shqipëria, e ndodhur pa asnjë “dyshkë monedhe floriri” në xhep, nga trashëgimia vëllazërore me Bashkimin Sovjetik, filloi të furnizohej me këto tanke, derisa arriti në numrin 1200 copë. Më pas vijnë mijërat e tjerë në avionë, makina, topa, ZBU katër grykëshe, që transportoheshin me xhipin e famshëm Tip BÇ, i kopjuar nga xhipi rus MAZ…etj., etj.. Tunelet e Shqipërisë dhe kapanonet nëpër reparte u mbushën plot me tanke, diagaçë e AVL. Ndërsa sheshet e aerodromeve, vendstrehimet dhe tunelet u mbushën me avionë, Mig-15, Mig17, Mig-19 e deri Mig-21. Sasia ishte aq e madhe sa që sipas statistikave të asaj kohe, i binte që për çdo njëzet e pesë kilometër katrore të kishte… një tank.
Asnjë vend evropianë nuk mund të krahasohej me sasinë e armatimeve që dispononte Shqipëria në vitet 1960-1970, për frymë të popullsisë. Kësaj sasie të madhe armatimi, do t’i shtohej edhe sasia e dhe larmia e madhe (rreth shtatëqind mijë) e qendrave të zjarrit (bunkerëve të famshëm). Në këtë kontekst, deri në vitin 1990 kur filloi “revolucioni demokratik” ne ishim vendi i parë në Evropë nga sasia e armatosjes së “popullit ushtar”, Në vitin 1991, (Lufta e Ftohtë) mbaroi dhe njëkohësisht u shpërbë edhe Traktati i Varshavës. Kështu Bashkimi Sovjetik tërhoqi nga Lindja (nga vendet anëtare të traktatit) të gjitha armatimet e rënda së bashku me trupat. Nga kjo shpërbërje, i vetmi vend që përfitoi ishte Jugosllavia, e cila nxitoi të blinte tanket T-54 dhe T-72 të Traktatit të Varshavës për një “copë bukë”. Çdo tank u ble për njëqind mijë dollarë, kuptohet përpara skrapit ajo shumë ishte lule. Gjatë asaj periudhe, Bashkimi Sovjetik dërgoi në uzinat metalurgjike të Uraleve plot njëzet e tetë mijë tanke T-72, të cilët i preu me lazer e i futi në furrë! Me këto tanke, Kina furnizoi Vietnamin e Veriut në luftën kundër amerikanëve. Kurse sovjetikët patën një eksport shumë herë më të madh. Në vitin 1970, ata furnizuan katër-pesë vende arabe në luftën kundër Izraelit në 1973. Të gjithë e mbajnë mend luftën e Serbisë kundër Kosovës e Bosnjë Hercegovinës, ku nëpër kodra qytete e brigje gëlonin tanket T-54 dhe transportuesit e blinduar BNP, i cili edhe sot mbetet më i miri në Botë, ashti si tanku rus T-90M.
Sot Serbia është vendi më i armatosur në Evropë. Ajo disponon uzina armatimesh. Ajo importon miliarda dollarë armatime moderne. Kurse ne, të gjithë armatimin e rëndë dhe municionet përkatëse i shitëm për skrap, kurse me armatime e lehta… furnizuam popullin në 1997?! Nuk duhet harruar plaga që la prapa shpartallimi i ushtrisë shqiptare në atë vit dhe të vrarë e viteve të mëpasshme që arrijnë deri në tremijë të vrarë. Pa harruar 26 të vrarët e Gërdecit. Sot, Shqipëria disponon, në kuadrin e vendit anëtar të NATO-s disa helikopter dhe disa dronë prodhim turk “Bayraktar”. Së fundmi, para disa javësh u furnizuam edhe me raketa tokë-ajër “Javelin”. Në fakt ombrella e NATO-s është reale dhe aktive në çdo moment, sipas nenit 5 të saj. Aty shkruhet shprehimisht se, në rast se një vend anëtar i NATO-s sulmohet, at’here presupozohet se është sulmuar e gjithë NATO-ja./Gazeta Panorama
Autori është drejtor i Revistës “HOSTENI”
