Mbyllja e Spitalit të Tepelenës – një tjetër hap drejt braktisjes së Jugut.
Vendimi i qeverisë për të mbyllur Spitalin e Tepelenës është një goditje e rëndë për banorët e Tepelenës dhe Memaliajt. Në vend që të investojë për të mbajtur gjallë jugun e vendit, qeveria po heq edhe shërbimet më jetike, duke i detyruar qytetarët të kërkojnë shërbim shëndetësor në Gjirokastër, Tiranë apo edhe në Janinë.
Të zëvendësosh një spital me një qendër ditore vetëm me infermierë është një vendim absurd që rrezikon jetën e njerëzve, rrit kostot për familjet dhe shton papunësinë në zonë.
Kjo nuk është rastësi. Është një politikë e vazhdueshme braktisjeje. Gjatë vitit të kaluar qeveria ka mbyllur Burgun e Bënçës në Tepelenë dhe ka transferuar shumë institucione nga Vlora drejt Tiranës, duke boshatisur gradualisht jugun nga institucionet, si dhe duke venitur shpresën për zhvillim.
Ironikisht, kjo po ndodh në zona ku qeveria prej vitesh kontrollon si pushtetin qendror, ashtu edhe atë lokal, dhe ku mbështetja elektorale për të ka qenë shpesh mbi 60–70%. Por jugu nuk mund të trajtohet si hambari i votave për ata që me politikat e tyre ulin cilësinë e jetës dhe nxisin braktisjen e vendit.
Sot jugut nuk po i hiqet vetëm një spital. Po i hiqet edhe një arsye për të qëndruar.
Ne duhet ta mbrojmë jugun nga braktisja. Spitali i Tepelenës duhet të qëndrojë i hapur.
nga Myzafer Elezi
