Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar gjatë natës në autostradën Thumanë–Kashar.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:20. Si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, ka humbur jetën një 48-vjeçar me inicialet I. L.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan drejtuesin e mjetit tjetër, shtetasin I. I., 22 vjeç. Sipas policisë, automjeti që ai drejtonte është përplasur me mjetin e 48-vjeçarit, duke i shkaktuar këtij të fundit vdekjen.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
