Në mbledhjen e zgjeruar mes Grupit Parlamentar të PS dhe ministrave, kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësi për rezultatin e zgjedhjeve në Sarandë.
Kritikat i ka adresuar ndaj deputetit të ri të qarkut Vlorë, Ardit Bido.
“Ardit, ti pate një mbështetje të fortë nga qendra, por nuk arrite pritshmëritë. Ti duhet të mësosh nga Damiani si të bëhesh i suksesshëm në zgjedhje“, citohet të jetë shprehur Rama.
Partia Socialiste fitoi me 4100 vota më shumë se partia Demokratike në zgjedhjet e vitit 2025. Rikujtojmë se mbledhja e Grupit parlamentar të PS-së është shoqëruar me disa debate, të cilat sollën përfshirjen e Ramës. Nuk ka qenë vetëm Elisa Spiropali ajo që ka ngritur “temperaturën” e kësaj mbledhje duke u përplasur me Erjona Ismailin ministre për Marrëdhëniet me Parlamentit.
Dy burime nga Grupi PS treguan edhe dy episode të tjera ku janë bërë protagonistë dy deputetë të PS dhe vetë kryeministri Edi Rama. Episodi i parë ka qenë një tërheqja vëmendje ndaj Damian Gjiknurit.
“Damian leje telefonin se më shpërqëndron kur flas”, citohet të ketë thënë Edi Rama.
“Ok, s’ka asnjë problem”, është përgjigjur Gjiknuri, i cili më pas ka futur telefonin më xhep.
Nuk ka qenë vetëm Gjiknuri në atë mbledhje që ka prodhuar shqetësim tek Rama për përdorim telefoni.
“Boll o Ervin i çove mesazhe policëve”, i ka thënë Rama ish-ministrit të brendshëm Ervin Hoxha.
Episodi i dytë në mbledhje lidhet me protestën e banorëve të Rrjolit. E ndërsa drejtoresha e Përgjithshme e Hipotekave, Lorena Goxhobelli, ka mbaruar prezantimin në pjesën e diskutime ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama.
“Nuk mund ti jepni zë disa personave që pretendojnë një pronë që nuk është e tyre. Ne kemi ngritur një grup pune nga ku na rezulton se s’kanë dokumente pronësie por letra të falsifikuara”, citohet te ketë thënë Rama dhe kërkuar distancim të deputetëve të tij nga kjo çështje.
Mbledhja e grupit parlamentar të PS me ministrat ka prodhuar një përplasje mes Erjona Ismailit ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Elisa Spiropalit, ish ministre e këtij dikasteri dhe ish-ministre e Jashtme.
