Tuesday, March 17, 2026
HomeALBPër ata që pyesin, ku e gjeti guximin Ambrozia t’i kundërvihej Ramës

Për ata që pyesin, ku e gjeti guximin Ambrozia t’i kundërvihej Ramës

Nga Sonila Meço

Pushteti që nuk pyetet më, fillon të duket si fat.

Ngordh muskuli i reagimit dhe lëshohet vaji i dorëzimit: “Ky fat na ra, ç’na gjeti me këtë, pse ky mallkim, ç’kusure po lan ky brez!”

Fatalizëm i injektuar me çdo mënyrë për të shmangur tmerrin më të madh të një pushteti pervers: llogaridhënien.

Pushteti që normalizon mos dhënien e llogarisë, herët a vonë fillon të besojë se nuk ka më kujt t’i përgjigjet.

Komisionet hetimore parlamentare, konferencat për shtyp, raportimi tek institucionet e pavarura, referendumet, hetimi nga drejtësia, protestat, të gjitha konsiderohen instinkte primitive, provokime sabotuese, gjëma të shmangshme.

Duke ushtruar fort këtë filozofi perverse, pushteti mësohet kaq keq, sa qetësinë ndërsa zhvat e shpopullon egër vendin e ngatërron me legjitimitetin për mos ta ndalur kurrkush.

Por kur pushteti qe mësuar të jetojë pa këto “shqetësime” banale, në kulmin e arrogancës ai tradhton veten dhe trembet nga gjëja më e vogël që s’mund ta kontrollojë: një gazetare, një qytetare që guxon ta pyesë  sy më sy.

Këtu hyn Ambrozia, që bën diçka për të cilën pushteti ishte investuar me gjithçka që  të harrohej: kërkon llogari. Nuk bën asnjë gabim gazetaresk, përkundrazi. Me një breshëri legjitime pyetjesh i hap sytë njerëzve se ky pushtet duket i madh vetëm sepse institucionet rreth tij janë bërë të vogla.

Mjaftoi një mikrofon dhe një vendosmëri për të çuar disa pyetje deri në fund edhe kur kolegët e braktisën për të parë me sy e dëgjuar me veshë shkërmoqjen psiqike dhe rrënimin cerebral të pushtetit nga kujtesa publike se duhet të japë llogari.

Prandaj mbrojtja e Ambrozias është domosdoshmëri, sepse dëshmoi lehtësinë e papërballueshme të parimit më elementar: pushteti ekziston për t’u kontrolluar.

Çështja nuk është ku e gjeti guximin Ambrozia, por si arriti ky pushtet absolut e arrogant që s’pyet më për institucione e ndërkombëtarë të trazohet, dridhet e shpërfytyrohet nga zëri i një qytetareje?

Kjo është arsyeja pse reagimi ndaj Ambrozias është kaq nervoz. Sepse ajo nuk është thjesht gazetare, por simptoma e kupës së mbushur në boshllëkun institucional.

Prandaj ju pëlqen a jo Ambrozia, ju bezdis a jo ngjyra e zërit të saj, kjo nuk është çështje gustosh, por e refleksit institucional të shoqërisë mu brenda kryeministrisë.

Se këtu mbërritëm me a pa dashje, në paradoksin ku një gazetare bën atë që duhet ta kishin kryer me kohë parlamenti, SPAK-u dhe mekanizmat e kontrollit.

Kjo pra kjo është arkitektura e vërtetë e pushtetit. Kjo karakatinë, që ngjan e madhe vetëm gjersa qytetarët vendosin të mos jenë të vegjël.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments