Moderatorja e një emisioni televiziv, Llabani, ka bërë deklarata të forta në studio, duke kritikuar ashpër mënyrën se si, sipas saj, po drejtohet vendi dhe rreziqet që i kanosen pushtetit aktual.
Ajo u shpreh se në Shqipëri nuk zhvillohet politikë e mirëfilltë dhe se vendi, sipas pretendimeve të saj, nuk drejtohet realisht nga shqiptarët. “Jemi të blerë. Shqipërinë nuk e drejtojnë shqiptarë. Pas qeverisë ka rusë dhe kinezë”, deklaroi Llabani, duke shtuar se projektet me të cilat mburret qeveria janë të lidhura me kompani kineze apo ruse.
Sipas saj, kjo përbën rrezikun më të madh për kryeministrin Edi Rama dhe për vazhdimësinë e pushtetit të tij. Llabani theksoi se nuk beson që qeveria mund të rrëzohet për shkak të aferave korruptive, por për një arsye shumë më të rëndë. “Nëse flasim për rënie pushteti, fundi i Ramës do të vijë nga shitja e sigurisë kombëtare të Shqipërisë,” u shpreh ajo.
Në vijim, moderatorja foli edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, duke theksuar se prania amerikane është aktive dhe e vazhdueshme. “Amerikanët nuk vijnë, amerikanët janë këtu. Janë te SPAK, janë aty ku u thirrën deputetët një nga një për të votuar reformën në drejtësi,” tha ajo.
Llabani shtoi se, sipas informacioneve që ajo përmendi, ekziston mundësia që shumë deputetë të thirren individualisht në Ambasadën Amerikane, me synimin, siç u shpreh ajo, për t’i hequr pushtetin kryeministrit Edi Rama. “Amerikanët bëjnë gjithçka,” përfundoi ajo.
