Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Aleksandër Biberaj, komentoi ditën e sotme aktualitetin politik dhe situatën brenda selisë blu.
I pyetur për ish-deputetët e opozitës që kanë pranuar poste nga qeveria, Biberaj zbuloi se edhe ai vetë ka marrë ofertë nga Edi Rama.
“Ofertë kam pasur edhe unë nga Edi Rama, por nuk jam tunduar për asnjë moment. As nuk më ka shkuar në mendje. Ishin oferta për pozicione të rëndësishme politike, të cilat i kam refuzuar pa asnjë dyshim. Përgjigjja ime ka qenë korrekte: Unë jam i djathtë dhe nuk kam nevojë për një mandat deputeti. Për kuriozitet, përgjigjja e tij ka qenë: ‘Pse, unë jam i majtë?’” – tha Biberaj.
Për skenarët e protestës së ardhshme të opozitës, ai tha se mund të bllokohen rrugë, porte dhe aeroporte. “Organizatorët do të vendosin për diversifikimin e saj. Mund të rrihet aty me orë, ndoshta me ditë, ose ndoshta edhe me net. Këto janë mendimet e mia, por protesta është një e drejtë civile dhe qytetare” – shtoi Biberaj.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të protestojnë më 20 shkurt, në 35-vjetorin e rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha në Sheshin “Skënderbej”.
