Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar ashpër ndaj ecurisë së procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar atë si një deformim serioz të realitetit historik.
Në një reagim publik, Majko — i cili drejtonte qeverinë shqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 — thekson se ky proces po cenon rëndë parimin themelor të drejtësisë, duke barazuar viktimën me agresorin. Sipas tij, drejtësia që po kërkohet në Hagë nuk po kufizohet vetëm te individët, por po godet vetë bazën mbi të cilën u ndërtua ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë.
“Ky proces fyen aksionin ndërkombëtar të Perëndimit në mbështetje të shqiptarëve, përballë veprimeve shtetërore të Serbisë, të cilat nga e drejta ndërkombëtare janë trajtuar si krime lufte,” shprehet Majko.
Akuza më e rëndë, sipas ish-kryeministrit, lidhet me efektin që ky gjyq po prodhon te pala serbe. Ai paralajmëron se përmes këtij procesi po rishkruhet historia në mënyrë të rrezikshme.
“Ky proces i deformuar në Hagë po shërben për të justifikuar dhe amnistuar protagonistin dhe drejtuesin shtetëror serb, Sllobodan Millosheviç, i akuzuar për krime lufte në Kosovë,” thekson Majko.
Reagimi i tij mbyllet me një paralajmërim të fortë për pasojat e mundshme të këtij procesi:
“Pas këtij gjyqi, mbetet vetëm që gjykata të vlerësojë edhe dëmin që Kosova duhet t’i paguajë Serbisë… Turp!” — përfundon ai.
