Një Betëjë Milionash dhe Emrash të Njohur: RTSH në Qendër të Skandalit të Ri

Tenderi 9 milionë euro për mirëmbajtjen e rrjetit televiziv DVB-T2 i RTSH-së është pezulluar, pas akuzave për shkelje dhe përplasje mes operatorëve që kanë lidhje të forta me skandale të së kaluarës.

I hartuar fillimisht nga ish-drejtoresha Aurora Polo dhe i trashëguar nga pasardhësja Eni Vasili, tenderi me një fond limit prej 9.1 milionë euro pa TVSH ka ngjallur polemika që në nisje. Procedura nisi pikërisht kur Kuvendi po përgatitej të emëronte drejtuesin e ri të institucionit – dhe sinjalet ishin që fituesi do të shpallej në prill.

Por gjithçka ndryshoi më 16 maj, kur një bashkim operatorësh ekonomikë – “Idea Tel” SHPK (i Idlir Karkinit) dhe “Real Com” SHPK (e Servet Kasës) – ankimuan skualifikimin e tyre në KPP, duke akuzuar RTSH për përjashtim të padrejtë dhe duke kërkuar që konkurrentëve të tjerë t’u shtoheshin arsyet e përjashtimit.

Kush janë konkurrentët? Emra të përmendur më parë në afera publike:

Renis Tërshana, pronar i “R&T” SHPK, që u skualifikua për “mungesë përvoje specifike”. Artan Xhori, pronar i “TBS 96”, aktualisht nën hetim nga SPAK për tenderin e respiratorëve gjatë pandemisë.

A ka favorizime të përsëritura? Të dy grupet akuzuese pretendojnë se kompanitë rivale janë favorizuar në mënyrë sistematike në tenderë publikë, përfshirë edhe këtë të RTSH-së.

Skualifikimet janë bërë për mungesë kapaciteti financiar apo përvojë specifike – por në realitet, kjo është një betejë shumë më e thellë, ku ndikimet politike dhe ekonomike janë të pranishme në çdo vendimmarrje.

Për momentin, procedura është bllokuar. Vendimi përfundimtar është në duart e anëtarit të KPP-së, Jonaid Myzyri – por siç thuhet nga brenda, fituesi nuk do të zgjidhet nga RTSH, por “nga lart”.