Nga skena në rrugë – Këngëtarja Parashqevi Simaku zbulon të vërtetën e fotos së famshme

Këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku ka ndarë së fundmi një rrëfim befasues për një periudhë të panjohur të jetës së saj – jetesën si e pastrehë në rrugët e New York-ut, larg skenës dhe vëmendjes publike.

E ftuar në emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun, Simaku ka sqaruar të vërtetën pas fotove që qarkulluan disa muaj më parë në rrjete sociale, ku ajo u shfaq e vetmuar në rrugët e Amerikës, çka shkaktoi shqetësim dhe trishtim te shumë shqiptarë.

Por rrëfimi i saj i habit të gjithë: ajo thotë se nuk ishte e detyruar, por kishte zgjedhur vetë një mënyrë tjetër jetese.

“Pse mos të rrija jashtë? Isha jashtë sepse zgjodha të jem. Në atë kohë, qindra amerikanë ishin jashtë si unë. Kishim vende ku mund të shkonim, por unë zgjodha të isha jashtë. Ishte e imja. E quaj një pjesë të mirë të jetës sime, absolutisht,” – u shpreh ajo.

Ky rrëfim rrëzon perceptimin e zakonshëm për situatën dhe sjell në qendër një figurë të njohur që, në mënyrë të ndërgjegjshme, ka zgjedhur të përjetojë realitete të ndryshme, përtej jetës publike dhe karrierës artistike.