Elon Musk u shfaq me një mavijosje të dukshme në syrin e djathtë gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Zyrën Ovale, së bashku me presidentin amerikan Donald Trump. Eventi shënoi largimin e tij si këshilltar jozyrtar i qeverisë dhe u përshkrua si një takim “lamtumire” ndërmjet dy figurave të njohura.
Musk mbante një kapele të zezë me mbishkrimin “Doge”, ndërsa mavijosja ishte lehtësisht e dallueshme poshtë saj. I pyetur nga gazetarët për dëmtimin, miliarderi shpjegoi me një ton të lehtë se ishte “rezultati i një grushti” nga djali i tij pesëvjeçar gjatë një shëtitjeje.
Vetëm disa orë para konferencës, The New York Times raportoi se Musk dyshohej për përdorim të substancave psikoaktive, përfshirë ketaminë dhe kërpudha halucinogjene, gjatë periudhës së mbështetjes për fushatën e Trump – një pohim që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
