Saturday, February 14, 2026
HomeALBNga burgu në SHBA te sekuestrimi në Shqipëri: goditet pasuria e “Dentistit”...

Nga burgu në SHBA te sekuestrimi në Shqipëri: goditet pasuria e “Dentistit” të ISIS-it

Prokuroria e Tiranës ka vendosur sekuestro preventive mbi disa llogari bankare në pronësi të familjarëve të Sajmir Alimehmetit, i njohur si “Dentisti”, i cili është dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetje ndaj organizatës terroriste ISIS.

Vendimi është marrë pas kryerjes së verifikimeve financiare, ku organi i akuzës ka konstatuar mospërputhje mes të ardhurave të deklaruara dhe burimeve të ligjshme. Sipas njoftimit zyrtar, janë bllokuar llogari bankare në lekë, euro dhe dollarë amerikanë, si edhe depozita bankare me vlera të konsiderueshme monetare.

Sajmir Alimehmeti u dënua në vitin 2018 nga një gjykatë federale në Manhattan me 22 vite burg, pasi pranoi fajësinë për ofrim mbështetjeje materiale ndaj ISIS-it, si dhe për mashtrim në aplikimin për pasaportë amerikane. Ai kishte qenë nën monitorim nga autoritetet ndërkombëtare që prej vitit 2014, pas dy refuzimeve për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që dyshohej se synonte të udhëtonte drejt Sirisë.

Sipas FBI-së, Alimehmeti kishte blerë pajisje me përdorim ushtarak dhe kishte shfaqur publikisht simpati për organizatën terroriste ISIS. Po ashtu, ai dyshohet se kishte fshehur informacione të rëndësishme në dokumentacionin për pasaportë, me qëllim shmangien e kontrolleve nga autoritetet amerikane.

Ndërkohë, hetimet në Shqipëri mbi pasuritë e familjarëve të tij vijojnë, në kuadër të zbatimit të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments