Artan Lame, një nga figurat më të spikatura të administratës publike shqiptare, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare pas një beteje të gjatë me problemet shëndetësore. Ai po trajtohej në Gjermani për pasojat e një ishemie të rëndë.
Gjatë karrierës së tij, Lame drejtoi institucione të rëndësishme si ALUIZNI dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ku la gjurmë për qasjen e tij profesionale dhe vizionin në rregullimin e çështjeve të pronësisë.
Veç kontributit në administratë, ai ishte një zë i njohur në media si opinionist dhe një pasionant i historisë dhe trashëgimisë kulturore. Njohuritë e tij në fushën e dokumentacionit historik dhe filatelisë shqiptare e bënin një figurë të rrallë në skenën publike.
Ndarja e tij nga jeta është një humbje e ndjeshme për vendin, duke shënuar mbylljen e një kapitulli me peshë në shërbimin publik dhe debatin intelektual shqiptar.