Një rrëfim i thjeshtë, por thellësisht prekës, ka rikthyer në vëmendje një nga humbjet më të mëdha të muzikës shqiptare. Miri, ish-anëtar i West Side Family dhe aktualisht pjesë e Big Brother VIP Albania, ka kujtuar momentin kur mori lajmin tronditës për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut të tij, Dr. Flori.
“Ishte viti 2014. Kam qenë në Gjermani, kur kam parë telefonin me 8 milionë mesazhe, nga gjithë dynjaja. Unë isha në gjumë,” – ka treguar Miri, duke përshkruar çastin kur kuptoi se Doktor Flori nuk jetonte më. Një lajm që tronditi jo vetëm miqtë e afërt, por mbarë publikun shqiptar.
Florian Kondi, i njohur për të gjithë si Doktor Flori, u nda nga jeta në moshën 35-vjeçare. I lindur në Tiranë më 29 shkurt 1979, ai la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike dhe familjare. Këngëtari ishte baba i dy fëmijëve, një vajze dhe një djali, ky i fundit vetëm pak javësh i lindur në momentin e ndarjes së tij nga jeta.
Dr. Flori do të mbahet mend si një nga figurat më autentike të muzikës urbane shqiptare. Me dhjetëra këngë të kthyer në hite, ai ishte jo vetëm interpretues, por edhe krijuesi i grupit legjendar West Side Family, i cili shënoi një epokë në muzikën shqiptare. Krahas tij, pjesë e këtij grupi u bënë edhe Miri dhe Landi, duke ndërtuar një histori që sot mbetet e paharrueshme.
Edhe pse vitet kalojnë, emri i Doktor Florit vazhdon të jetojë përmes muzikës së tij, kujtimeve të miqve dhe dashurisë së publikut, që ende e konsideron një ikonë të vërtetë të skenës shqiptare.
