“Miliona për një strateg: Çfarë fitoi PD përtej votave?”

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë për media, është ndalur në mënyrë të veçantë te figura e Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës së tij elektorale dhe këshilltari strategjik i Partisë Demokratike. I pyetur nëse pagesa për LaCivitën ia kishte vlejtur, Berisha u përgjigj me bindje: “Ia vlejti shumë! Kjo ishte një betejë jetike për fatin e Shqipërisë.”

Sipas Berishës, LaCivita solli një ekspertizë të pakrahasueshme, duke e cilësuar si bashkëpunëtorin më të suksesshëm që PD ka pasur ndonjëherë:

“Drejtoi fushatën më të suksesshme në histori. Ekspertiza e tij dhe udhëzimet u morën në konsideratë plotësisht.”

Ai nuk kurseu superlativat, duke e krahasuar LaCivitën me figurat kyçe të fitores së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë:

“Kontraktimi i tij ishte akti më i mirë dhe më i rëndësishëm që bëri PD. Ai është bashkëkryestrategu i rikthimit më të fuqishëm në historinë e njerëzimit.”

Në vijim, Berisha tha se fushata e fundit, edhe pse nuk rezultoi me fitore, ishte më e mira në karrierën e tij:

“Paraçitëm programin më transformues, bëmë fushatën më të mirë të jetës sime. Por, kjo farsë elektorale nuk fitohet nga opozita, pavarësisht cilësisë.”

Sa i përket transparencës financiare, Berisha theksoi se gjithçka do të bëhet publike brenda afateve të përcaktuara ligjërisht.