Foshnjat e lindura në minutat e para të vitit 2026 kanë përfituar mbështetjen financiare të qeverisë përmes programit “Bonusi i bebes”.
Gjatë takimeve, zv.ministrja Eugena Tomini përcolli urimet për familjet dhe dorëzoi çekun e “Bonusit të bebes”, mbështetja direkte financiare që përfiton çdo fëmijë i porsalindur në Shqipëri.
Programi universal “Bonusi i Bebes” mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë në mbështetje të familjeve, duke garantuar përfitim financiar për çdo lindje, pavarësisht kushteve sociale apo ekonomike, si dhe duke synuar nxitjen e rritjes së natalitetit në vend.
Që nga viti 2019, më shumë se 245 mijë foshnja kanë përfituar nga kjo skemë. Shuma e bonusit varion nga 400 mijë leke të vjetra deri në 1 milion e 200 mijë lekë te vjetra, në varësi të rendit të lindjes.
Për lindjet e shumëfishta, përfitimi është 80 mijë lekë për secilën foshnjë në rastin e binjakëve dhe 120 mijë lekë te reja për secilën foshnjë për trinjakët ose më shumë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se do të vijojë forcimin e politikave sociale në mbështetje të familjeve, me qëllim garantimin e një fillimi të sigurt dhe dinjitoz për çdo fëmijë që vjen në jetë.
