Një mashtrim online po shënjestron qytetarët lidhur me ofertat e rreme për kredi që synon të marrë paratë e kujtdo që bie në grackë. Policia e Shtetit bën me dije se persona të panjohur përdorin faqe të dyshimta, rrjete sociale dhe mesazhe elektronike për t’u paraqitur si përfaqësues të institucioneve financiare.
Policia bën thirrje për kujdes të shtuar dhe mosndarjen e të dhënave personale e bankare me persona të paidentifikuar. Gjithashtu këshillon verifikimin e informacionit dhe komunikimin drejtpërdrejt me faqet zyrtare të bankave, si dhe të denoncojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë. “Policia e Shtetit këshillon qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar apo faqe interneti të pasigurta. Përpara se të aplikojnë për kredi pranë institucioneve financiare, të verifikojnë gjithmonë informacionin. Të komunikojnë drejtpërdrejt me personelin bankar, duke përdorur vetëm kontaktet zyrtare të publikuara në faqet zyrtare të bankave përkatëse, veçanërisht në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në degët bankare.
Qytetarët ftohen që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe apelon për kujdes, verifikim dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
