Sipas një artikulli të Forbes, vetëm gjashtë vende të NATO-s, mes të cilave Shqipëria, kanë dalë publikisht në mbështetje të operacioneve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, ndërsa shumica e anëtarëve të tjerë kanë mbajtur qëndrim neutral ose kritik ndaj veprimeve.
Vendet që kanë shprehur mbështetje janë: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lituania, Letonia dhe Republika Çeke. Shumë prej tyre kanë përmendur rrezikun e programit bërthamor iranian dhe destabilizimin në Lindjen e Mesme si arsye kryesore për mbështetjen e tyre.
Forbes shkruan se Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e lidhi qëndrim e Shqipërisë me tensionet e mëparshme diplomatike me Iranin, duke e paraqitur vendin si një aleat të fortë të SHBA-së.
“Ne mbështesim Shtetet e Bashkuara në mbështetjen ushtarake të Izraelit”, shkroi Rama në një postim në rrjetin X disa ditë më parë, duke dënuar gjithashtu “agresionet kibernetike” të Iranit ndaj Shqipërisë, që çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike në 2022.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, dhe zyrtarët e Lituanisë, Letonisë dhe Çekisë gjithashtu kanë shprehur mbështetje për operacionin, duke theksuar se qëllimi është të ndalet programi bërthamor iranian dhe të ruhet stabiliteti rajonal.
Artikulli thekson se shumica e vendeve të tjera të NATO-s, përfshirë Danimarkën, Finlandën dhe Luksemburgun, kanë mbajtur qëndrim neutral, ndërsa disa, si Italia dhe Spanja, janë shprehur kritikisht ndaj sulmeve.
