Dëshmitë tronditëse të klientëve dhe ish-punonjësve të KMY kanë demaskuar llumin në të cilin kompania e mishit ka punuar ndër vite duke helmuar shqiptarët.
Ky rast duket se është një shembull tipik i dështimit të standardeve të sigurisë ushqimore, punës së gjobaxhinjve të AKU pasi që në krijim të tij, interesat financiare janë vendosur mbi shëndetin e qytetarëve.
Ish-punonjësit tregojnë se mishi lihej direkt në dysheme dhe shkelej me këmbë. Kjo përputhet plotësisht me gjetjet e fundit të inspektorëve që ndanë pamjet e mishit të kalbur publikisht.
Shumë dëshmitarë pretendojnë se mishi i prishur nuk asgjësohej, por përpunohej për t’u bërë sallam ose salçiçe, duke fshehur erën dhe pamjen e tij të keqe përmes procesimit.
Ka pretendime të rënda se kompania ka përdorur mish kafshësh të ngordhura që duhej të groposej, por përfundonte në tavolinat e shqiptarëve.
Një denoncim tjetër përmend transportin e kuajve dhe gomerëve të braktisur drejt ambienteve të kompanisë, duke lënë të kuptohet se mishi i tyre mund të jetë përdorur në produkte mishi.
Kompanisë i është ndaluar operimi deri në përmbushjen e standardeve ose e thënë ndryshe derisa t’i paguajë gjobën AKU (edhe pse dëshmitë sugjerojnë se këto probleme janë sistematike prej vitesh).
Kjo kompani ka mbijetuar kaq gjatë falë lobimit nga figura publike dhe lidhjeve me autoritetet, duke u goditur vetëm kur u “prishën pazaret” ose kur situata u bë e pamundur për t’u fshehur.








