Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin në orët e para pas mesnate, ku një e re ka mbetur e plagosur në rrethana që po hetohen nga policia.
Sipas burimeve zyrtare, incidenti ka ndodhur në ambientet e Hotel Gjuta, në Tiranë. Viktima është identifikuar si Natalia Murtati, 18 vjeçe, e cila është gjetur e plagosur në një nga dhomat e hotelit, pronë e familjes së partnerit të saj.
Në momentin e ngjarjes, partneri i saj, 22-vjeçari Erisjaldo Gjuta, nuk ndodhej në dhomë. Ai, së bashku me anëtarë të tjerë të familjes, sipas deklarimeve paraprake, ndodheshin në katin e parë të objektit, ku funksionon edhe biznesi familjar. Pas dëgjimit të të shtënave, familjarët janë ngjitur në dhomë dhe kanë konstatuar se e reja ishte e plagosur.
Burime policore bëjnë me dije se nëna e të riut dhe një i afërm i familjes kanë ndërhyrë për ta transportuar 18-vjeçaren drejt spitalit. Megjithatë, në kontaktin fillestar me autoritetet shëndetësore, ata kanë deklaruar se e kishin gjetur vajzën të plagosur në rrugë dhe se kishin ofruar ndihmë, një version që më pas është vënë në dyshim nga hetimet.
E reja është dërguar me urgjencë në spital, ku ka marrë ndihmën mjekësore të nevojshme dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, ajo është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Sipas burimeve, 18-vjeçarja ka deklaruar se është vetëplagosur në dhomën e hotelit, duke përdorur armën e zjarrit që i përkiste partnerit të saj. Në dëshminë e saj, ajo ka pohuar se veprimin e ka kryer në gjendje të rënduar emocionale, duke deklaruar se “ka bërë shumë gabime në jetë”.
Pas këtyre zhvillimeve, policia ka nisur një hetim të thelluar për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes, përfshirë mënyrën e sigurimit dhe ruajtjes së armës së zjarrit, si dhe veprimet e kryera pas plagosjes së të resë. Si rezultat i hetimeve të para, në pranga janë vënë nëna e partnerit të 18-vjeçares, Mirvetja Gjuta, si dhe xhaxhai i tij, Vladimir Gjuta.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim partneri i vajzës, Erisjaldo Gjuta, babai i tij Sajmir Gjuta dhe një kushëri i familjes, Elvir Gjuta. Ata dyshohen për veprat penale të fshehjes së krimit dhe pastrimit të gjurmëve, lidhur me mënyrën se si është menaxhuar situata pas plagosjes dhe deklarimet e dhëna fillimisht ndaj autoriteteve.
Policia vijon kontrollet dhe veprimet procedurale për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. Autoritetet kanë theksuar se hetimi është në zhvillim dhe se çdo detaj shtesë do të bëhet publik pas përfundimit të verifikimeve të nevojshme.
