Wednesday, January 14, 2026
HomeALBKafja 7 mijë euro dhe kurthi i rremë i “Piranjas”: dosja që...

Kafja 7 mijë euro dhe kurthi i rremë i “Piranjas”: dosja që çoi në arrestimin e 36-Vjeçarit

36-vjeçari Glarurtin Kaçi është dënuar me arrest në burg nga Gjykata e Tiranës, pasi akuzohet se ka mashtruar një qytetar duke u prezantuar rremë si gazetar i emisionit investigativ “Piranja”.

Gjykata ka vlerësuar si të ligjshëm ndalimin e tij dhe ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, duke rrëzuar kërkesën e avokatit mbrojtës për lirimin nga qelia. Vendimi parashikon që policia gjyqësore të zbatojë menjëherë masën ndaj të dyshuarit, i cili akuzohet për veprën penale të “Mashtrimit”.

Sipas hetimeve të prokurorisë, Kaçi ka përfituar 8 mijë euro nga një qytetar, të cilin e ka shantazhuar duke i thënë se ndaj tij ekzistonte një material komprometues, i cili do të publikohej në media nëse nuk paguante shumën e kërkuar.

Si funksiononte skema e mashtrimit

Ngjarja është kallëzuar nga shtetasi Leonard Bytyçi, i cili ka deklaruar se fillimisht është kontaktuar në Instagram nga një profil me emrin “ema_koci_”, ku një vajzë që prezantohej si “Kejsi” i ka kërkuar takim. Pas disa bisedash, ajo e ka bindur që të shkonin në një hotel në qendër të Tiranës.

Sapo ai ka mbërritur në dhomën e hotelit dhe i ka dërguar një foto, vajza i ka thënë se ishte minorene. Menjëherë pas kësaj, ai është kontaktuar nga një numër telefoni, ku një person i panjohur i ka thënë se kishte rënë në një kurth të emisionit “Piranja” dhe se rrezikonte publikimin e pamjeve komprometuese.

I frikësuar, kallëzuesi ka vijuar komunikimin në WhatsApp me këtë person, i cili i ka premtuar se do ta “zgjidhte problemin” në këmbim të parave. Ai i ka kërkuar fillimisht 7 mijë euro, duke pretenduar se ishin për stafin e emisionit, dhe më pas edhe 1 mijë euro shtesë si “kafe” për veten e tij.

Paratë janë dorëzuar në dy takime të ndryshme në zonën e “9-katësheve”, ndërsa pas marrjes së shumës, i dyshuari i ka thënë se gjithçka ishte mbyllur dhe se materialet ishin fshirë.

Denoncimi dhe arrestimi

Pas disa ditësh, pasi ka kuptuar se ishte mashtruar, qytetari ka kërkuar kthimin e parave, por Kaçi ka refuzuar. Kjo ka çuar në kallëzimin e rastit në Policinë e Tiranës.

Pas hetimeve dhe shpalljes në kërkim, Kaçi është arrestuar më 18 nëntor 2025 në lagjen “28 Nëntori” nga efektivët e Komisariatit Nr. 1. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka pranuar marrjen e parave, duke deklaruar se vuan nga varësia ndaj bixhozit, e cila sipas tij e kishte shtyrë të kryente veprime të tilla edhe më parë.

Aktualisht, 36-vjeçari ndodhet në qeli, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të skemës së mashtrimit vijojnë.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments