E ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, Habibi Babasi foli për ritualet dhe teknikat që, sipas saj, na ndihmojnë të nisim një Vit të Ri sa më të mbarë dhe të qëndrueshëm emocionalisht.
Gjatë intervistës, Babasi theksoi rëndësinë e vendosjes së qëllimeve që në datën 31 dhjetor, duke sqaruar se manifestimi dhe energjia pozitive janë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë pa një bazë të fortë.
“Së pari duhet të kthehemi te baza, që është një sistem nervor dhe një trup që ndihen në siguri. Vetëm atëherë mund të realizojmë ndryshimet që dëshirojmë”, u shpreh ajo.
Babasi sugjeroi përdorimin e terapisë NLP, e cila fokusohet në rrogramimin e trurit përmes gjuhës dhe mendimit të strukturuar. Sipas saj, një praktikë e thjeshtë është përzgjedhja e 15 deri në 30 fjalëve kyçe që do të përfaqësojnë boshtin e vitit 2026.
“Këto mund të jenë fjalë si lehtësia, bollëku, karriera, vetëbesimi, palestra apo ecja. Janë zakone dhe veprime që dëshirojmë t’i inkorporojmë në jetën tonë të përditshme”, tha ajo, duke këshilluar që këto fjalë të vendosen në faqen e parë të telefonit për t’u parë vazhdimisht.
