E donte jetën dhe kishte sapo nisur të ndërtonte të ardhmen e saj profesionale në Spitalin Rajonal të Korçës. Shfaqej gjithmonë e qeshur dhe plot shpresë, por fati mizor ia ndërpreu ëndrrat në mes, duke lënë pas dhimbje dhe trishtim të thellë për familjarët, të afërmit, miqtë dhe kolegët.
Pas një beteje të gjatë që zgjati më shumë se një vit me sëmundjen, ka ndërruar jetë ditën e sotme infermierja e Spitalit Rajonal të Korçës, Laura Avdolli. Vetëm 27 vjeçe, ajo konsiderohej një nga studentet më të mira të infermierisë dhe kishte nisur me përkushtim rrugëtimin e saj profesional.
Për më shumë se një vit, Laura vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa rasti i saj ngjalli një ndërgjegjësim të gjerë tek qytetarët, të cilët u mobilizuan për të ndihmuar në mbledhjen e fondeve për trajtimin dhe ndërhyrjen e nevojshme mjekësore. Një shumë e konsiderueshme u arrit falë solidaritetit të shqiptarëve.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe shpresës që nuk u shua kurrë, Laura nuk arriti ta mposhtë sëmundjen dhe sot mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë pas një boshllëk të madh dhe një histori që preku zemrat e shumë njerëzve.
