Ish-çifti Meta-Kryemadhi nën akuzë: SPAK mbyll hetimet për një nga çështjet më të bujshme të dekadës

SPAK ka përfunduar hetimet për një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit, që përfshin ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Hetimet janë përqendruar në tre çështje kryesore: aferën CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj ish-çiftit Meta-Kryemadhi.

Të dy ish-zyrtarët janë hetuar për vepra penale që përfshijnë korrupsionin, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin/fshëhjen e pasurisë. Dosja do të dërgohet në ditët në vijim në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku do të zhvillohet seanca paraprake.

Në këtë fazë, gjykata do të vendosë:

nëse çështja do të kalojë për gjykim, nëse hetimet duhet të plotësohen, ose nëse procedimi penal do të pushohet.

Monika Kryemadhi pritet të njoftohet për akuzat në mesditën e së martës, ndërsa Ilir Meta do të njoftohet zyrtarisht në orën 14:00 të po së njëjtës ditë.

Përveç tyre, SPAK do të komunikojë akuzat edhe ndaj dy personave të tjerë të përfshirë në këtë dosje: Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.