Ilir Meta hap “Kutinë e Pandorës”, paralajmëron publikimin e një materiali përvëlues që pritet të ekspozojë me emër dhe mbiemër politikanin që merr para në dorë nga afera “CEZ-DIA”
Mesa duket, ish-presidenti Ilir Meta ka vendosur të hapë “Kutinë e Pandorës”. Avokatët e tij paralajmërojnë se javën e ardhshme do të publikojnë videon e një politikani që merr para dhe është i përfshirë në çështjen CEZ-DIA, fakt që sipas tyre përjashton përfshirjen e Metës në këtë skemë. “Eliminimi politik i zotit Meta nuk është thjesht një plan afatshkurtër, është një plan afatgjatë dhe kuptohet që donin ta implikonin me shumë fakte penale. Ne po paraqesim tek ju se si ata në perceptimin publik të videos së famshme të 2011-ës, në rast se do të kishte i ndjeri Dritan Prifti një fakt penal kundër zotit Meta, nuk do të bënte videon ku dyshohet që ka edhe një video për zotin Dritan Prifti, por ai do të sillte si fakt penal konkret rastin CEZ-DIA. Ne do na lejoni që në konferencën e radhës do ju nxjerrim një material ku duket qartë me emër dhe mbiemër politikani, i cili do të marrë para në dorë nga kjo marrëveshje e famshme që është CEZ-DIA, që nuk ka lidhje fare i mbrojturi prej nesh zoti Ilir Meta”, tha avokati Gylsen Zhllima.
Prapaskenat
Në një konferencë për shtyp, dy avokatët Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima flasin për një skemë që sipas tyre ka pasur si qëllim eliminimin politik të Metës që nga viti 2011-të. “Janë të njëjtët aktorë që Metën kanë dashur ta penalizojnë publikisht për akuza që nuk qëndrojnë dhe afera korruptive që nuk ekzistojnë. Kjo është çështje e montuar nga ata që kishin interes, por edhe nga SPAK. Kallëzimi penal ndaj Metës është kallëzim i pabazuar në asnjë provë, në asnjë fakt, në asnjë dëshmi dhe në asnjë akt zyrtar, pasi vërtetohet qartë që ka qenë një kallëzim i stisur, që ka pasur për qëllim për të penalizuar Metën. Kallëzimi i Metës s’ka qenë i personave që kanë dijeni, por ka qenë kallëzim që ka patur prapavijë politike dhe ashtu vazhdoi edhe më pas edhe regjistrimi penal, arrestimi, apo akuzat e montuara nga SPAK”, tha Cakrani.
