Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në rrugën Korçë-Maliq, ku humbi jetën tragjikisht në aksident efektivi i Policisë së Burgut, Krenar Çekiçi, sot (19 mars), Drejtoria e Burgut të Drenovës ka ndarë një postim dhe mesazh prekës.
Teksa i shpreh ngushëllimet familjes, institucioni ndan edhe dhimbjen e thellë.
“Në këto moente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i respektuar në institucionin tonë”, thuhet mes të tjerash në postim.
Si ndodhi aksidenti
Ngjarja ndodhi dje (18 mars) rreth orës 13:30, në segmentin pranë fshatit Lumalas.
Shkak u bë përplasja e dy makinave me njëra-tjetrën. Krenar Çekiçi u plagos rëndë dhe u dërgua në spital, por pas disa orësh nuk mundi t’i mbijetonte frakturave serioze që pësoi.
Drejtuesi i mjetit tjetër është shoqëruar dhe marrë nën hetim nga policia vendore.
“Rreth orës 13:30, në aksin rrugor Korçë-Maliq, pranë fshatit Lumalas, Korçë, automjeti me drejtues shtetasin K. G., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. Ç., i cili për pasojë, është lënduar dhe u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës. Me drejtuesin tjetër, shtetasin K. G., po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë vendore.
Postimi i Burgut të Drenovës:
“IEVP Korçë shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të punonjësit tonë, Krenar Çekici, i cili humbi jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti fatal.
Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i respektuar në institucionin tonë. U prehtë në paqe”.

