Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin italian Cosimo Notaristefano, i arrestuar në kuadër të një operacioni të Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kundër një call center-i të dyshuar për mashtrime financiare në Tiranë.
Sipas hetimeve, aktiviteti i dyshuar zhvillohej në një nga kullat e kryeqytetit dhe kishte në fokus shtetas të huaj, të cilët pretendohet se janë mashtruar përmes skemave të investimeve.
Gjatë seancës gjyqësore, Notaristefano deklaroi se ka qenë i punësuar si teknik dhe se nuk kishte dijeni për skemën e pretenduar nga prokuroria. Ai theksoi se roli i tij ishte i kufizuar në shërbime teknike dhe se nuk kishte asnjë funksion apo ndikim në investimet e kryera nga klientët.
Shtetasi italian kërkoi nga gjykata zëvendësimin e arrestit me një masë më të lehtë sigurie, përfshirë garanci pasurore, duke argumentuar se vuan nga probleme shëndetësore. Po ashtu, ai deklaroi se nuk ishte në dijeni se ishte shpallur në kërkim dhe se po udhëtonte drejt Italisë, siç bënte zakonisht çdo dy muaj.
Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë.
