Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i ftuar në DritareTV, ka folur për herë të parë për shkarkimin e tij nga detyra.
Nano e përshkroi periudhën në krye të Policisë së Shtetit si një kohë me shumë stres dhe përgjegjësi, duke theksuar se barra e asaj detyre nuk mund të kompensohej nga përfitimet ekonomike.
“Ajo që fitova nga ana ekonomike nuk mund ta paguajë stresin dhe përgjegjësinë që kishte ajo punë.”- u shpreh Nano.
I pyetur nëse ishte ndjerë keq pas largimit nga detyra, ish-kreu i Policisë pranoi se përjetoi zhgënjim. Nano e përshkroi largimin nga detyra si një përjetim të vështirë, duke thënë se ndërprerja e karrierës në një moment kur kishte ende shumë energji dhe plane për të realizuar, ishte diçka që i shkaktoi zhgënjim
“Të ndërpritet karriera në momentin kur ke energjitë më të mëdha për të dhënë është shumë e vështirë. Të vjen inat, të vjen shumë inat. Ke plane të tjera për karrierën dhe ndërkohë të ndodhin gjëra të papritura që unë nuk ia uroj askujt”, tha Nano.
