Të paktën 15 persona kanë humbur jetën pasi një traget me më shumë se 350 persona në bord u fundos në orët e para të së hënës pranë një ishulli në jug të Filipineve, njoftuan autoritetet lokale. Roja bregdetare bëri të ditur se 28 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Trageti M/V Trisha Kerstin 3, i cili transportonte pasagjerë dhe mallra mes ishujve, ishte nisur nga qyteti-port i Zamboangës drejt ishullit Jolo në provincën Sulu, me 332 pasagjerë dhe 27 anëtarë të ekuipazhit. Sipas rojës bregdetare, mjeti pësoi probleme teknike dhe u fundos pak pas mesnatës.

Ngjarja ndodhi në kushte të mira atmosferike, rreth një milje detare (1.8 kilometra) larg fshatit ishullor Baluk-Baluk në provincën Basilan, ku fillimisht u dërguan shumë nga të mbijetuarit, tha komandanti i rojës bregdetare, Romel Dua, për agjencinë Associated Press. Ai shtoi se në bord ndodhej edhe një oficer sigurie i rojes bregdetare, i cili ishte i pari që dha alarmin për nisjen e operacioneve të shpëtimit dhe që arriti të mbijetojë.
Në operacionet e kërkim-shpëtimit po marrin pjesë anije të rojës bregdetare dhe të marinës, një avion vrojtimi, një helikopter Black Hawk i forcave ajrore, si dhe dhjetëra varka peshkimi, tha Dua.
Guvernatori i provincës Basilan, Mujiv Hataman, bëri të ditur se disa pasagjerë dhe dy trupa u transportuan në qytetin Isabela, kryeqendrën provinciale
Po presim 37 persona në port. Fatkeqësisht, dy prej tyre janë të vdekur”, deklaroi Hataman për Associated Press. Sipas rojes bregdetare, 316 pasagjerë janë shpëtuar, ndërsa janë gjetur të paktën 15 trupa.
Shkaku i fundosjes së tragetit nuk është ende i qartë dhe autoritetet kanë nisur hetimet. Dua theksoi se trageti ishte kontrolluar para nisjes nga porti i Zamboangës dhe nuk kishte shenja mbingarkese.
Aksidentet detare janë të shpeshta në arkipelagun e Filipineve për shkak të stuhive të shpeshta, mjeteve të amortizuara, mbipopullimit dhe zbatimit të dobët të rregullave të sigurisë, veçanërisht në provincat e largëta.
Në dhjetor të vitit 1987, trageti Dona Paz u fundos pasi u përplas me një cisternë karburanti në Filipinet qendrore, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 4 mijë e 300 personave, aksidenti detar më vdekjeprurës në kohë paqeje në botë.
