Thursday, January 15, 2026
HomeALBFund i dhimbshëm për “Pompeon”: aksidenti i merr jetën ish-futbollistit të Flamurtarit

Fund i dhimbshëm për “Pompeon”: aksidenti i merr jetën ish-futbollistit të Flamurtarit

Profesori dhe ish-futbollisti i njohur Pandeli Opingari, i njohur në qytetin e Vlorës me nofkën “Pompeo”, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra pas një aksidenti rrugor. Ai ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare, tre ditë pasi u përplas nga një mjet tip “Audi” në qytetin e Vlorës.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të mjekëve, Opingari nuk arriti të mbijetonte, duke mbyllur sytë përgjithmonë këtë të diel. Lajmi ka sjellë dhimbje dhe trishtim në komunitetin sportiv dhe qytetar të Vlorës.

Pandeli Opingari ishte një figurë e respektuar, mësues i edukimit fizik, trajner dhe sportist i viteve të arta ’60–’70 me fanellën e Flamurtarit. Për breza të tërë ai ishte shembull korrektësie, përkushtimi dhe qytetarie, duke u kthyer në një pikë referimi brenda dhe jashtë fushës së lojës.

Kontributi i tij në futbollin vlonjat do të mbetet i paharruar. I qetë, i drejtë dhe njeri i fjalës, profesori “Pompeo” gëzonte respektin e të gjithëve që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të.

Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe klubi i Flamurtarit, i cili i ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe gjithë komunitetit sportiv vlonjat. Në reagimin e tij, klubi thekson se Pandeli Opingari ishte një nga sportistët e hershëm të Flamurtarit, duke dhënë kontribut të çmuar për klubin gjatë viteve 1950–1960.

Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen ditën e nesërme, në orën 11:00, në stadiumin “Flamurtari”

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments