Kryeministri Edi Rama prej ditës së djeshme ndodhet në një vizitë zyrtare në Jerusalem. I shoqëruar nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, kjo vizitë e kreut të qeverisë në Izrael ka ardhur në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit dhe përfshin një agjendë të ngjeshur takimesh e aktivitetesh në nivelin më të lartë shtetëror.
Momenti kulmor i kësaj vizite është fjalimi i kryeministrit Rama në seancën plenare speciale të Knessetit, Parlamenti i Izraelit, që do të mbahet sot në orën 16:15. Fjalimi konsiderohet historik, pasi realizohet në bazë të një protokolli të posaçëm që Knesseti u rezervon vetëm një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj, të përzgjedhur për rëndësinë e veçantë politike dhe simbolike.
Kujtojmë se disa muaj më parë të njëjtit parlament ju drejtua edhe presidenti i SHBA, Donald Trump.
Sakaq theksojmë se në orën 11:00 deri në 12:30, Rama do të zhvillojë një takim me homologun e tij izraelit, kryeministrin Benjamin Netanyahu. Takimi do të pasohet nga bisedime mes dy delegacioneve dhe do të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Paralelisht, bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, së bashku me Michal Herzog, bashkëshorten e presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të vizitojnë Bibliotekën Kombëtare të Izraelit.
Në orën 14:00, kryeministri Rama dhe Linda Rama do të mbërrijnë në Knesset Plaza, ku do të priten me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Më pas, Kryeministri do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Chagall. Rreth orës 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me kryetarin e Knessetit, Amir Ohana.
Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.
Në orën 17:15, në nder të Kryeministrit do të zhvillohet një pritje zyrtare me pjesëmarrjen e amabasadorëve dhe të ftuarve. Ndërsa, Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.
Më 27 janar, Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.
Gjatë qëndrimit të tij në Jeruzalem, kryeministri do të realizojë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Murin e Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.
