Saturday, March 28, 2026
HomeALBFerma Vip” pa kryeplak, Eduart Grishaj zbulon detajet një ditë para spektaklit

Ferma Vip” pa kryeplak, Eduart Grishaj zbulon detajet një ditë para spektaklit

Vetëm një ditë na ndan nga nisja e spektaklit të shumëpritur Ferma VIP, që këtë sezon të tretë vjen nën drejtimin e Arbana Osmani në ekranin e Vizion Plus. Premtimet për një produksion gjigant dhe standarde të papara më parë janë konfirmuar edhe nga regjisori Eduart Grishaj, i cili ishte i ftuar në emisionin “Live në Mëngjes”.

Besoj se ky është maksimumi që mund të bëhet,” u shpreh Grishaj, duke theksuar se ky edicion “nuk krahasohet vetëm me vendin tonë, por me të gjithë rajonin”. Sipas tij, çdo detaj është çuar në një nivel tjetër:

Çdo gjë ka ndryshuar: nga studioja, ndriçimi e deri te kamerat. Shtëpia është katër herë më e madhe dhe numri i kamerave që vëzhgojnë 24 orë është shumëfishuar. Jam shumë i lumtur që producentja Holta Dulaku ma ka bërë punën si “autostradë” që nga fillimi, duke më lejuar të jap maksimumin. .”

Regjisori zbuloi se do të dominojë fusha e artit në përzgjedhjen e konkurrentëve:

“Janë emra shumë të mirë që publiku i njeh, por nuk i ka parë kurrë në dimensionin e vëzhgimit 24 orë.” Ai shtoi se “99% e tyre hyjnë për herë të parë në një reality show”, duke premtuar surpriza dhe dinamika të reja.

Një nga risitë më të mëdha mbetet edhe transformimi i ambientit:

“Shtëpia nuk ngjan më me një fshat tradicional shqiptar, por me një fshat modern në Teksas apo Los Anxhelos,” tha Grishaj, ndërsa shtoi se “pellgu i rosave është zëvendësuar me një pishinë të madhe luksoze”.

Për sfidat dhe përmbajtjen e spektaklit, ai u shpreh:

“Filozofia e fermës do të jetë një miks: nga mbiellja e tokës dhe punët e stallës, deri te sfidat fizike. Ka konkurrentë shumë të fortë dhe të palestruar, por sfidat do t’u përshtaten të gjithëve.”

Teknologjia është një tjetër element kyç këtë sezon.

“Janë kamerat e fundit që përdoren edhe në finalet e botërorit. Me to mund të xhirohet edhe Champions League,” deklaroi ai, duke shtuar se “kam dashur të fus një frymë kinematografike në program”.

Për opinionistët, Grishaj zbuloi një kombinim interesant:

“Ermal Mamaqi do të sjellë humorin, Einxhel Shkira analizën e showbiz-it dhe Armina Mevlani eksperiencën e saj.” Ndërsa rolin drejtues: “‘Kryeplakja do të jetë Arbana nga studioja.”

Sa i përket përmasave të produksionit, ai dha shifra mbresëlënëse:

“Sezoni do të zgjasë 100 ditë, me transmetim 24 orë dhe dy spektakle në javë,” ndërsa në natën e parë “do të hyjnë rreth 24 fermerë”.

Sfida më e madhe për të si regjisor? “Realizimi i çdo detaji në kohë rekord,” tha ai, duke zbuluar edhe prapaskenat: “Mbrëmë kemi qenë deri në orën 3 të mëngjesit në studio.”

Ndërsa për natën e parë, pritshmëritë janë maksimale:

“Do të drejtoj 158 kamera nga kabina e pilotimit bashkë me skuadrën time. Do të kemi katër regji në koordinim,” tha Grishaj, duke shtuar me humor: “Shpresojmë që edhe koha të na favorizojë… urojmë që në orën 9:00 të ketë një pauzë sa të fusim banorët brenda.”

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments