Policia e Vlorës zbardhi sot në mbrëmje (12 prill) detaje nga ngjarja tragjike e ndodhur në zonën e “Skelës”, ku një fëmijë humbi jetën pasi ra nga lartësia e ballkonit të pallatit ku jetonte.
Burime zyrtare thanë se vogëlushi ishte vetëm 2 vjeç dhe ngjarja tragjike ndodhi në lagjen “Pavarësia 3”, rreth orës 18:30.
Policia thotë se në shtëpi ka qenë dhe nëna e viktimës, por e ka humbur nga vëmendja në një çast teksa vogëlushi po lunate në ballkon dhe aksidentalisht është rrëzuar.
“Sot, rreth orës 18:20, në lagjen “Pavarësia 3”, një fëmijë 2 vjeç, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga ballkoni i banesës në pallatin ku banonte dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vend. Nga të dhënat paraprake rezulton se fëmija ndodhej në banesë së bashku me nënën e tij, shtetasen K. H.”, thanë burime zyrtare.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
