Nata e fundit e muajit të Ramazanit përbën një moment të veçantë reflektimi dhe pritjeje për miliona besimtarë myslimanë.
Përtej atmosferës festive, kjo natë mbart një dualizëm ndjenjash, një përzierje mes gëzimit dhe ankthit.
I ftuar në një intervistë në emisionin “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama, teologu dhe imami i njohur, Ahmed Kalaja, ka shpjeguar dimensionin shpirtëror të kësaj nate dhe ka tërhequr vëmendjen mbi një rrezik psikologjik që mund të preket çdo besimtar.
Kalaja theksoi se besimtarët në këtë natë gjenden në një gjendje të dyzuar.
“E ke parasysh kur njeriu bën një punë një muaj, do të marrë shpërblimet,” shpjegoi ai, duke e krahasuar fundin e Ramazanit me momentin kur një punonjës pret shpërblimin për punën e kryer. Nga njëra anë, ekziston gëzimi dhe shpresa se Zoti do t’ua pranojë sakrificën dhe adhurimet njëmujore; nga ana tjetër, ata përballen me një ndjenjë meraku: “A e kemi bërë mirë? A na e ka pranuar Zoti? A e kemi bërë ashtu siç duhet?”.
Kjo ndjenjë meraku, sipas imamit, është thelbësore dhe shërben si një mekanizëm mbrojtës kundër një prej “kurtheve” më të mëdha shpirtërore: vetëpëlqimit. Ai theksoi se pas një muaji sakrificash, si agjërimi, lutjet e natës dhe bamirësia, ekziston rreziku që njeriu të bjerë në eufori dhe t’i duket vetja superior ndaj të tjerëve.
“Është shumë problem kur njeriu fillon dhe i duket vetja më i mirë se të tjerët se ka adhuruar Zotin,” u shpreh Kalaja.
Meraku nëse veprat janë pranuar apo jo, e mban besimtarin të përulur dhe e pengon atë të mendojë se ka kryer diçka të jashtëzakonshme.
Kalaja sqaroi se Ramazani nuk është fundi i rrugëtimit shpirtëror. “Nuk është se e mbyllëm me Zotin, me muajin e Ramazanit edhe i lamë duart. Jeta vazhdon, Zoti po aty është, ne po aty jemi, ne kemi nevojë prapë për Zotin,” shtoi ai.
Ky merak i mban besimtarët të lidhur me realitetin se marrëdhënia me Krijuesin është e vazhdueshme dhe se adhurimi është një detyrë, jo një arritje për t’u mburrur. Kështu, nata e fundit e Ramazanit shërben si një kujtesë e fuqishme se në besim, përulësia është po aq e rëndësishme sa vetë sakrifica
