Menjëherë pas mbledhjes së Asamblesë Socialiste të mbledhur nga kreu i kësaj partie, Edi Rama, ka nisur mbledhja e asamblesë së PS njësia 5, ku i deleguar ka qenë Taulant Balla i shoqëruar nga Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe. Kjo mbledhje ka nisur me tensione dhe pakënaqësi nga anëtarët e kësaj njësie.
Nga burimet brenda mbledhjes mësohet se Erion Braçe ka ngritur një sërë problematikash duke ngritur zërin për emërimet e fundit të Edi Ramës, të cilat kanë ardhur nga radhët e PD. Emërimi i fundit i Dash Sulës është evidentuar si dalje nga linja socialiste, ndërkohë që PS ka kontribuues me vlera të qarta intelektuale dhe aktivistë partie të vendosur.
Braçe ka ngritur zërin ndaj Taulant Ballës dhe kryetares së njësisë 5, Anila Shehu, të cilën e ka akuzuar për punësime nepotike si në rastin e vëllait të saj në postin e drejtorit të hipotekës.
Sipas burimeve brenda mbledhjes, socialistët kanë miratuar deklaratat e Braçes, duke manifestuar pakënaqësi ndaj qeverisjes së Ramës, e cila është bërë arrogante ndaj bazës socialiste.
Në përfundim të debatit, Erion Braçe i ka deklaruar Taulant Ballës se ai do të kontribuojë si socialist, por në zgjedhjet e ardhshme të Tiranës do të kandidojë si i pavarur për postin e kryetarit të Bashkisë, duke treguar se në PS ka marrë fund koha e nënshtrimit ndaj qeverisjes autokratike të kryesocialistit Rama.
