Këngëtarja e madhe Parashqevi Simaku ka ndarë për herë të parë arsyet që e shtynë të largohej nga Shqipëria në fillim të viteve ’90. Në një intervistë për emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun, ajo ka rrëfyer një pjesë të panjohur të jetës së saj – udhëtimin e vështirë si emigrante, larg dritave të skenës.
Fillimisht, Simaku udhëtoi drejt Italisë, në një udhëtim që nisi me shumë vështirësi dhe një pasaportë të blerë.
“Nëna më tha: do shkoj të shoh vëllain tim në Itali, ishte një nga refugjatët. Qante gjithmonë dhe më tha: ‘Aman, ti je shumë e njohur’. Shkova me mikeshën time në ambasadë. Ambasadori italian më njihte nga mbrëmjet festive që organizonte partia. Më tha: ‘Po ti je Parashqevia! Mos u mërzit, do flas me Dash Dervishin që të përgatitin dhomën e miqve. Se isha edhe e varfër…’”
Ajo kujton me emocione se s’kishte asnjë para, por mikpritja dhe ndihma e njerëzve që takoi i hapën një rrugë të re.
“Më sollën një makinë diplomatike. Më pas erdhën një burrë dhe grua nga New York-u, nga Dibra e Maqedonisë. Donin të hapnin muzikë atje, të argëtoheshin. Ata më blenë një pasaportë italiane – ishte emër i rremë: Victoria Marini! Unë flisja italisht, dukesha si italiane.”
Më 9 mars 1992, ajo mbërriti në New York, ku gjithçka i dukej si një botë krejt tjetër.
“U shokova kur mbërrita. Thoja: pse është qielli kaq i lartë këtu? Në Shqipëri retë i kemi si kapele. Më dukej sikur kisha ardhur në një tjetër planet. Shqiptarët më donin shumë, më pritën ngrohtë.”
Ky rrëfim sjell në vëmendje jo vetëm historinë personale të një artisteje të madhe, por edhe realitetin e ashpër të mijëra shqiptarëve që lanë pas gjithçka për një të ardhme më të mirë.