Elisa Spiropali sulmon kolegët e Parlamentit Europian

Për herë të parë, kryetarja e një parlamenti shqiptar sulmoi kolegët e Parlamentit Europian, të cilët në një raport final damkosën qeverisjen e Edi Ramës dhe farsën zgjedhore të 11 Majit.

Elisa Spiropali doli me urgjencë sot në një konferencë për shtyp për të sulmuar homologët e tempullit të demokracisë evropiane.

Ajo tha se ata po dëmtojnë imazhin e vendit.

“Dua të ndalem edhe lidhur me një fenomen të cilin edhe duke u përmbajtur, po e cilësoj njollë të zezë, dënoj me forcë përpjekjet e atyre që nuk po lënë gur pa lëvizur, për të dëmtuar imazhin e vendit. E kam fjalën për misionarët që pasi kanë shkatërruar gjithçka rreth vetes, janë rikthyer me vrull të paparë për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe për përdhosjen e emrit të Shqipërisë, reputacionit të tokës tonë të përbashkët me teori komploti, me të pavërteta të shpikura, si përpjekje për mbijetesë politike”, tha ajo.

Reagimi i Spiropalit vjen pasi Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian diskutoi me urgjencë për Shqipërinë, duke paralajmëruar edhe një mision faktmbledhës.

Eurodeputetët u shprehën të alarmuar për zgjedhjet, krimin e organizuar, korrupsionin, kapjen e drejtësisë, lirinë e medias, etj.

Në veçanti, vëzhguesi i Parlamentit Europian për zgjedhjet e 11 Majit, Michael Gahler ishte i ashpër kur deklaroi se pushtetin e Edi Ramës në Shqipëri e mbajnë në këmbë strukturat kriminale, që nuk lejojnë ndryshim të situatës.