Pas më shumë se 6 vitesh dhimbjeje, zemra e Albert Carës nuk mundi të durojë më pasi sot pushoi përgjithmonë së rrahuri si pasojë e një ataku kardiak. Ai mbeti “fillikat” pasi tërmeti i nëntorit të 2019-ës në Thumanë u mori jetën 7 familjarëve të tij.
Tashmë Alberti do të pushojë në përjetësi pranë engjëjve të tij që i deshi më shumë se kushdo. Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së Drejtues Zjarrfikës Arben Cara, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.
“Dhimbja e tij ishte e madhe, por dashuria për familjen e tij ishte edhe më e madhe. U prehsh në paqe Albert… tani je sërish pranë atyre që i deshe më shumë” ka shkruar drejtori i MZSH.
Kujtojmë se tërmeti shkatërrues i nëntorit u bë shkak për humbjen e jetës të familjarëve të Alberit, Almiri 26-vjeçar, Erisa 25-vjeçare, Hasani 18-vjeçar, Fatmira 53-vjeçare, Sadajana 21-vjeçare dhe Anthi 72 vjeç si edhe Stela Zvergeci, e fejuara e Almirit, e cila është varrosur në Korçë.
