Babai i banorit të Big Brother VIP Albania 5, Mal Retkocerit, Faik Retkoceri, nuk ka mundur të marrë pjesë në intervistën e planifikuar në emisionin “Ftesë në 5”, për shkak të një përkeqësimi të gjendjes së tij shëndetësore.
Lajmin e bëri të ditur vetë moderatorja Bieta Sulo, e cila shpjegoi se situata u kuptua vetëm pak minuta para realizimit të lidhjes direkte. Sipas saj, gjatë tentativës për ta kontaktuar Faikun, në telefon u përgjigj motra e tij, e cila jeton në Francë.
Pak minuta para provës për lidhjen direkte, na erdhi një mesazh. Kur telefonuam me mendimin se do të flisnim me Faikun, në telefon doli motra e tij”, u shpreh Bieta gjatë emisionit.
Në mesazhin e dërguar nga motra e tij, Rema Retkoceri, sqarohej se Faiku ndodhej në spital dhe po merrte infuzion, duke mos qenë në gjendje të jepte intervistë. Sipas saj, gjendja e tij emocionale dhe shëndetësore ishte rënduar ndjeshëm për shkak të presionit dhe reagimeve të shumta në rrjetet sociale ditët e fundit.
“Ai nuk po arrin t’i përballojë komentet dhe reagimet në rrjetet sociale, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen e tij shëndetësore”, thuhej në mesazhin drejtuar stafit të emisionit.
Kujtojmë se Faik Retkoceri u shfaq së fundmi në qendër të vëmendjes publike pas hyrjes së tij në shtëpinë e Big Brother VIP Albania 5, për të takuar djalin e tij Malin pas rreth shtatë vitesh mungesë kontakti. Megjithatë, takimi nuk u realizua, pasi Mali vendosi që këtë moment ta përjetojë jashtë shtëpisë, pas përfundimit të rrugëtimit të tij në reality show.
Situata ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, ndërsa publiku ka shprehur shqetësim dhe urime për shërim të shpejtë për Faik Retkocerin
