Volejbollistja braziliane Najara Ferreira, 32 vjeçe, është larguar nga kampionati shqiptar i volejbollit që prej muajit tetor, pasi disa klube ngritën dyshime lidhur me gjininë e saj. Ferreira ishte pjesë e ekipit të Dinamos për femra, por që nga momenti kur u shfaqën këto dyshime, ajo nuk ka zhvilluar më asnjë ndeshje dhe nuk është parë në aktivitetet zyrtare të klubit.
Sipas burimeve, sportistja nuk ka paraqitur ende analizat e kërkuara për verifikimin e gjinisë, duke bërë që çështja të mbetet e hapur në Federatën Shqiptare të Volejbollit. Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar as nga klubi Dinamo dhe as nga vetë volejbollistja.
Ndërkohë, është bërë e ditur se sezoni i ardhshëm i kampionatit shqiptar të volejbollit do të nisë me një rregull të ri, që parashikon detyrimin për testim gjinor për çdo volejbolliste që regjistrohet për të garuar në kategorinë e femrave.
Rasti ka nxitur diskutime të shumta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, duke hapur debate mbi rregulloret sportive, përfshirjen dhe standardet e verifikimit në sportin profesionist.
