Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka “shënjestruar” publikisht sekretarin e përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamr Nokën.
Kokalari akuzon Nokën për shpifje, duke mohuar kategorikisht pretendimet se ajo ka themeluar një parti të re politike dhe se nuk ka kontribouar në ngritjen e “Rithemelimit”.
Duke paralajmëruar se nuk do të tolerojë deklarata të tilla, ajo thekson se faktet mbi angazhimin e saj politik janë tashmë të dokumentuara dhe se do “luftojë” që të “shpëtojë” Partinë Demokratike nga figura si Noka.
“Me mashtrime dhe shpifje nuk e fitoni dot këtë luftë… dhe ajo që paskam qenë thjesht “kontributore” nuk ia shet dot publikut shqiptar, sepse mediat “kontributin” tim e kanë mbuluar çdo ditë dhe çdo minutë, pra faktet janë shkruar tashmë. Postin e nënkryetarit e kam refuzuar, sepse këtë nuk e bëj për karrike, por është një mision për të larguar injorantë si ty dhe për të shpëtuar PD-në. Tani, nëse je aq idiot (që të gjithë thonë që je) dhe nuk kupton ndryshimin mes një lëvizjeje dhe një partie, shko pyet Xhozin, që e keni futur në parlament pa asnjë votë dhe që partia e saj akoma ekziston aktive në gjykatë. Nëse nuk arrin të publikosh dokumentat e gjykatës për krijimin e partisë time, (i gjen kollaj këto online), por qoftë edhe të lëvizjes, të lutem llogarit mirë shpifjet që thua nëpër media, sepse, siç thashë, për asnjë nga ju s’kam mëshirë në këtë pike”, shkruan Kokalari.
Këto reagime të njëpasnjëshme të Kokalarit vijnë në një moment kur Partia Demokratike është përballë zgjedhjeve të reja për kreun e saj. Disa ditë më parë, vetë Kokalari përmes një postimi në rrjetet sociale shpalli publikisht kandidaturën e saj për kryetare të Partisë Demokratike.
