
Një tragjedi familjare që ndodhi javën e kaluar në Itali ka ngjallur solidaritet të gjerë publik, ndërsa për familjen Kola është hapur një fushatë ndihme në platformën GoFundMe.
Në vetëm 48 orë janë mbledhur mbi 75 mijë euro për të mbështetur familjarët e katër shqiptarëve që humbën jetën në Porcari, në provincën e Luccas, pas dyshimeve për helmim nga monoksidi i karbonit i çliruar nga një kaldajë gazi në banesën e tyre.
Nisma humanitare është ndërmarrë nga Durim Kola, vëllai i Arti Kolës, 48 vjeç, një prej viktimave. Paratë e mbledhura do të përdoren për shpenzimet e funeralit dhe për transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ndërsa pjesa e mbetur do t’u vijë në ndihmë të afërmve në këtë moment të vështirë.
Qytetarë të shumtë, brenda dhe jashtë Italisë, kanë kontribuar me donacione që variojnë nga 50 deri në 500 euro, duke shprehur mbështetje dhe ngushëllime për familjen e prekur.
Ndërkohë, Prokuroria e Luccas ka nisur një hetim për të sqaruar plotësisht shkaqet e ngjarjes. Sipas të dhënave paraprake, kaldaja dyshohet se ishte instaluar së fundmi nga vetë pronari i banesës.
Autoritetet po presin rezultatet e analizave toksikologjike, të cilat pritet të jenë vendimtare për ecurinë e hetimeve. Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat e viktimave do të kthehen në Shqipëri për ceremonitë mortore.
