Zyrtarja e Partisë Demokratike, Edith Harxhi, ka reaguar pasi demokratët i vunë zjarrin vilës së Enver Hoxhës.
Ajo thotë se në vend të vilës, duhet të shqetësohen për fatin e Edi Ramës, pasi herën tjetër do ta heqin qafe si Ajatollahun e Iranit.
“Për të gjithë ata që janë shqetësuar për molotovët ndaj rezidencës së Diktatorit të parë shqiptarë, më duhet t’ju them se atë që nuk e përfunduam dot ne në 1991-in, e shënjestruan të rinjtë demokratë dhe të revoltuar të 2026-ës. Imazhi i Shqipërisë më në fund u përmirësua! Një qeveri e re duhet të ketë detyrën e saj të parë të nxjerrë jashtëligjit çdo simbol komunist, material ose human. Dekomunistizimi do të duhet të fillojë nga nxjerrja jashtë skenës politike dhe jashtëligjit të bijëve dhe nipërve të byrosë së vjetër dhe të re, dhe sektit të tyre që ngulfati shqiptarët për më shumë se 80 vjet. Herën tjetër duhet të shqetësoheni për Ajatollahun shqiptar se do të përfundojë si ai i Iranit. Marsi është fatsjellës për shqiptarët!”, thotë Edith Harxhi
